Tirana ka mundur më në fund të zhvillojë disa veprime në QKR, duke rikonfirmuar administratorin e saj Refik Halili deri më 26 janar 2021. Po kështu, nga klubi Tirana janë miratuar edhe bilancet financiare të viteve, 2014, 2015 dhe 2016, duke qenë shumë pranë rregullsisë financiare, pasi prej vitesh kjo shoqëri nuk miratonte dot bilancet. Edhe pse bardheblutë kanë bërë ndryshime të mëdha në regjistrin e QKR-së, një tjetër problem i ka dalë rrugës.
Një hotel në Tiranë u ka vënë sekuestron e radhës konservative. Fjala është për “Taverna Tafaj”, ku bardheblutë kanë fjetur dhe drejtuesit e para 6 viteve kanë ngrënë, pirë dhe ende nuk kanë paguar paratë. Borxhi i 2012-ës është rreth 13 milionë lekë të vjetër dhe kërkuesi, duke parë që nuk po paguhej nga bardheblutë, ka marrë një vendim gjykate, i cili përbën urdhër ekzekutiv dhe detyron Tiranën të paguajë me gjithë interesa. Veç borxheve të mëparshme, bardheblutë, duhet të paguajnë edhe 13 milionë lekë për vetëm një muaj qëndrim në një nga hotelet e Tiranës, një histori tjetër absurde se sa keq është menaxhuiar klubi në kohën kur drejtonte bashkia.
Borxhi i radhës, Tirana duhet të paguajë darka qejfi të… periudhës së bashkisë
Taverna “Tafaj” pretendon 13 milionë lekë për vitin 2012, detyrim nga klubi Tirana. Në atë periudhë Tirana i përkiste bashkisë. Detyrimi është dreka e darka që drejtuesit hanin për qejf dhe ja faturonin klubit e nuk i paguanin. Kushedi sa gjyqe me subjekte të asaj periudhe janë shfaqur në dy vitet e fundit. Hotele, restorante, agjenci transporti, etj. në mos qoftë abuzim, është papërgjegjshmëri që nuk janë paguar.
Ndërkohë, klubi likuidoi përfundimisht çështjen Kastrati – edhe ky problem i asaj periudhe – si dhe borxhin Aleks, i lindur në administrimin e Halilit. Në total të dy borxhet e likuiduar shkuan 340 milionë lekë të vjetra.