Tirana nuk ndalet. Fiton edhe ndaj Naftëtarit me rezultatin e pastër 3-0. Një rezultat i njëjtë si në sfidën kundër Pogradecit. Një dominim total me raste pa fund për të shënuar, por me një portier të Naftëtarit që bën mrekulli në fushë dhe mbyll portën e tij, duke i mohuar Tiranës një goleadë. Gjithsesi, Tirana ia del të fitojë, të marrë tri pikë, të ketë tre fitore, në tre ndeshje, me shtatë gola të shënuar, asnjë të pësuar dhe vendin e parë në klasifikim, e vetme me një distancë të vogël nga vendi i dytë. Shkurt, Tirana është e pakapshme në çdo anë. Sa për Naftëtarin, fjalë të mira, pasi nuk pësoi shtatë gola si në Kupë, por mund të kishte bërë edhe më shumë në fushë. Gjithsesi, bravo Tirana, që nuk di të ndalet.
Ndeshja – Trajneri Ze Maria kishte vendosur që të mbante një ekip të pandryshuar në kampionat me ata lojtarë që luajtën në Pogradec. Dhe menjëherë ritmi i lojës rritet. Që në minutën e katërt, Sentamu nis një duel të gjatë me portierin e Naftëtarit Koçi, nga ku del fitues vetëm dy herë, ndërsa gardiani në shumë momente i mohon golin ugandezit. Tirana pasi e nis mirë, përgjumet për 10 minuta, por një sulm i nisur nga Ngo në minutën e 14-të, bën që Karabeci të çojë në avantazh bardheblutë. Pa gëzuar mirë, Tirana dyfishon rezultatin 60 sekonda më vonë me Sentamun. Kërçiku merr krahun nga e djathta, kroson te Sentamu që godet menjëherë, grushton në fillim Koçi, por topi mbetet në vijën fatale dhe sërish ugandezi i pashqetësuar shtyn sferën në rrjetë. 2-0 dhe takimi mbyllet që në minutën e 15-të. Është Ngo që provon nga larg, ndërsa Naftëtari rastin e vetëm në pjesën e parë e ka me Koroveshin që ekzekuton një goditje dënimi, por pa rrezik për portën e Ilion Likës.
Pjesa e dytë nis me ndërrime si nga Tirana që fut Shehrin për Likën dhe miqtë nga Kuçova. Është në fillim Ngo që humbet disa raste për gol. Allkanjari në dy raste është afër golit, ndërsa Sentamu e Ngo humbasin raste pa fund, pasi portieri Koçi u bëhet “ferrë”. Gjithsesi, rezultati do të vuloset në fund të takimit pikërisht në minutën e 90-të me anë të Sentamus që shënon dygolëshin e tij. Është Doka nga e djathta jep një top për në qendër për Sentamun, që godet në ajër dhe më në fund mposht Koçin në minutën e fundit të lojës së rregullt. 3-0 dhe gjyqtari vendos të fusë skuadrat në dhomat e zhveshjes. Tirana fiton dhe me meritë fiton tre ditë pushim. Është e para e grupit të saj dhe ka nisur udhëtimin me maksimumin e forcave drejt Superiores.
Tirana – Naftëtari 3-0
Shënues: Karabeci 14′, Sentamu 15′, 90′
Tirana: Lika (Shehri 46′), Kërçiku, Uellison, Turtulli, Hoxhallari, Doka, Daja, Mauexhe, Karabeci (Halili 82′), Sentamu, Ngo (Levendi 89′). Në dispozicion Bishaj, Qilimi, Nuriu, Çelhaka. Trajner: Ze Maria
Naftëtari: Koçi, K.Pepa (Jaupi 67′), Marra, Xh.Kajo, Behari (Hadaj 46′), Koroveshi (A.Pepa 72′), Cake, Hyseni, Nallbati, Allkanjari, Llojku. Në dispozicion Spahiu, Marini, Gjyla, E.Kajo. Trajner: Barjam Fraholli.
Gjyqtarë: Indrit Myrtja, Melis Dervishi, Fisnik Thorja, Arlind Pirani (Shkodër)
Kartonë të verdhë: Lika 28′, Sentamu 68′ / Marra 60′, Xh.Kajo 79′