Pritet një mbledhje mes drejtuesve dhe skuadrës bardheblu për shkaqet e humbjes me Bylisin. Trajnerët e Halilit gjithmonë nuk e kapin dhjetorin
Olsi Avdiaj
Tirana është trazuar nga humbja e parë në kampionat. Për ata që ishin të shtunën në stadium, zhgënjimi ishte i dukshëm. Presidenti Refik Halili braktisi ndeshjen para se të mbyllej 90 minutëshi. Të zhgënjyer ishin edhe stafi i tij drejtues. Askush nuk e priste një humbje. Për më tepër ndaj Bylisit, në momentin më të mirë të bardhebluve. Një humbje që ka shkundur të gjithë, por që pritet të shoqërohet me një analizë të gjatë. Që do të thotë se skuadra të martën do të japë llogari para trajnerit Ze Maria. Por deri të martën mendohet se mes zyrtarëve të klubit të ketë një mbledhje. Një takim i gjatë ku do të analizohet se çfarë ndodhi të shtunën ndaj Bylisit. Një ndeshje ku presidenti Refik Halili të flasë me trajnerin për gjendjen e ekipit. Gjithsesi, problemi i madh mbetet mendjemadhësia në ekip. Shumë lojtarë e kanë marrë lehtë Kategorinë e Parë, pas fitoreve të para dhe ky është problemi që ka shqetësuar prej javësh Ze Marian. Duhet një shkundje e fortë nga presidenca dhe trajneri për ekipin, që situata të normalizohet. Po kështu duhet të pranojmë se trajneri Ze Maria është në rrezik nëse situata vazhdon kështu. Shumë nga trajnerët e Tiranës, vitet e fundit nuk e kanë arritur dhjetorin. Ilir Daja e Shkëlqim Muça, diçka dinë për këtë lloj situate, pasi te bardheblutë gjithmonë nguten. Dhe këtë sezon akoma më shumë.
Merkato – Duhen lojtarë të tjerë në ekipin bardheblu. Edhe pse skuadra dukej e kompletuar, gjërat nuk janë siç duket. Majkëll Ngo nuk ngroh. Edhe pjesa tjetër e sulmit është zhgënjyese paçka se janë shënuar gola. Problemi mbetet ritmi i skuadrës dhe kjo duhet të zgjidhet me doemos. Probleme sipas Ze Marias kanë krahët dhe mesfusha që duhet të ndryshojë, por këto ndryshime duhet të vinë në janar me hapjen e merkatos.
Turtulli – Marvin Turtulli është një nga lojtarët që ka shqetësuar ndeshjen e fundit. Futbollisti është dëmtuar. Ai ka një tërheqje. Në radhë të parë lojtari duhet të bëjë një rezonancë magnetike, për të parë shkallën e dëmtimit dhe më pas të shihet sesa do të qëndrojë jashtë fushe.
Stërvitja – Ditën e martë është lënë që Tirana të nisë stërvitjen. Meqenëse java do të jetë pushim, bardheblutë kanë vendosur që përgatitjet të nisin pak më vonë. Gjithsesi, e marta do të jetë “zjarr” për ekipin që duhet të përballet me furinë e Ze Marias, pas humbjes me Bylisin.