Tirana e mbylli pjesën e parë të sezonit me një bilanc të shkëlqyer, e para në grupin e vet në Kategorinë e Parë, fituese e Superkupës dhe triumfuese ndaj Vllaznisë në kupë. Tani është kohë merkatoje dhe ka shumë thashetheme mediatike, me emra si Doka e Hoxhallari që kërkohen nga shumë klube.
Megjithatë, për momentin Tirana ka larguar vetëm një lojtar, qendërmbrojtësin brazilian Uellison, me 32-vjeçarin që i luajti të gjitha ndeshjet, por nuk i ka bindur drejtuesit dhe trajnerin Ze Maria, të cilët e kanë lënë të lirë. Tani braziliani shkon në Suedi, ku ka firmosur për ekipin Eskilstuna, që sapo ka zbritur në Kategorinë e Dytë suedeze.
Në vend të tij Tirana pret qendërmbrojtës afrikan, pasi në Afrikë ka gjetur lojtarë të shkëlqyer dhe trajneri Ze Maria njeh shumë lojtarë, përveçse menaxheri Hektor Çomo ka lidhje të shkëlqyera dhe mund të gjejë emra shumë cilësorë, për të tashmen dhe sidomos të ardhmen në Superiore. Mauexhe e Sentamu rezultuan goditje cilësore, në Kenia ka lojtarë të tjerë cilësorë që janë kontaktuar nga bardheblutë.