Brenda një sezoni vjen ndryshimi drastik i bardheblutë. Për 2016-2017-ën, llogariten rreth 700 milionë lekë të vjetër fitime. Dhe këtu nuk futen paratë e Bashkisë e “bishtra”
Olsi Avdiaj
Tirana ka rënë në Kategorinë Superiore, por gjendja financiare tani është më e mirë se kurrë. Vetëm në vitin e fundit, atë të greminës, ku ndodhi gjithçka, prej borxheve pa fund, rënies nga kategoria, bllokimit të merkatos dhe llogarive, Tirana në aspektin financiar ka njohur kulmin në erën Halili. Janë plot 700 milionë lekë të vjetër fitime apo arkëtime të Tiranës, duke mos llogaritur këtu përfitimet me marrëveshje, apo klering, që e bëjnë skuadrën bardheblu një nga ekipet më fitimprurëse për momentin. Shkurt, në sezonin e zisë Tirana arrin të mos zhytet edhe më tej. Por del mbi sipërfaqe edhe arrin të prodhojë para. Po ku kanë dalë plus bardheblutë në një sezon, i cili nga ana sportive ishte për të vënë “duart në kokë”.
Zëri më i madh i fitimeve është pjesëmarrja në Europë. Plot 284 milionë lekë të vjetër ka arritur të fitojë skuadra bardheblu, në daljen evropiane, pas plot pesë vitesh mungesë. Një shifër që zë “zemrën e luanit” në financat bardheblu. Por nuk mbaron këtu. Edhe pse ishte “vit i zi” me tifozët, dhe ata munguan për 12 ndeshje në stadium, Tirana për gjatë gjithë sezonit ka grumbulluar 100 milionë lekë nga biletat. Një shumë që mund të ishte edhe më e madhe, gjithmonë nëse tifozëria do të kishte qenë e pranishme në “Selman Stërmasi”.
Sponsorët dhe reklamat kanë sjellë në arkat e Tiranës 100 milionë lekë. 91 milionë lekë është shuma e fituar nga e drejta televizive këtë sezon, ndërkohë që 60 milionë ka sjellë përfitim stadiumi i dhënë me qira tek Partizani. Po kështu stadiumi ka larë edhe investimin që kishte bërë FSHF-ja. Në një rakordim final të para disa ditëve me institucionin e futbollit, të ardhurat në federatë janë rreth 262 mijë euro, ndërsa borxhi është rreth 220 milionë lekë të vjetra.
Më së fundi, Tirana ka dalë “me plus” në llogarinë e federatës. Kupa dhe “Fair Play” kanë sjellë 65 milionë lekë. Të gjitha bashkë dhe pa paratë e së drejtës TV të Europës dhe ndonjë bishti tjetër bëjnë 700 milionë lekë të vjetër fitim. Shitja e 4 lojtarëve kryesorë dhe sidomos e Mervejlit, patjetër që do të rriste shëndetin e financave. Nga shitja e Mervejlit parashikohet të mbulohet buxheti i gjithë rrogave për Tiranën e Kategorisë së Parë. Të ardhurat këtë vit do jenë më të ulta, për shkak të faktit që nuk merr para nga e drejta televizive, dhe nga fondi i solidaritetit. Gjithsesi, merkatoja mund të sjellë më shumë se 1 milionë Euro. Për Tiranën dhe çdo ekip tjetër, ky do të ishte viti i rekordeve në para dhe do të shpëtonte përfundimisht klubin nga gjendja e rënduar financiare.
400 milionë lekët e Bashkisë, histori më vete
Bashkia Tiranë ka vendosur që të paguajë të gjitha borxhet e vjetra. 400 milionë lekë të vjetër janë akorduar nga bashkia për të larë detyrimet e vjetra që janë kilometrike. Aksionerja në minorancë, edhe pse premtoi, nuk e ka paguar gjithë shumën. Gjithsesi, pritet që të bëhet likuidimi total i parave dhe plus se çfarë do të kalojë sërish më pas Bashkia, pasi borxhi shkon rreth 1 miliard lekë të vjetër e mos më shumë. Sepse ende te Tirana, nuk janë shuar borxhet në masën 100%. Në proces likuidimi është futbollisti Aleks Uilllian, që luajti dy sezone më parë, ndërkohë që në të njëjtin proces është edhe çështja Kastrati dhe detyrimi kundrejt Panathinakosit. Pritet dhe vendimi për Muzakën, por me shumë gjasa shumë shpejt vendimi do t’i japë të drejtë sportistit dhe gjithsesi Tirana duhet të paguajë për të. Borxhi Seferi duhet zgjidhur një herë e mirë.
Fitimet e Tiranës
Europa League 284 milionë lekë (215 000 euro)
Biletat 100 milionë lekë
Sponsorët 100 milionë lekë
E drejta TV 91 milionë lekë (70 000 euro)
Stadiumi 60 milionë lekë
Kupa e Shqipërisë 50 milionë lekë
Fair Play 15 milionë lekë