Afrohet një ugandez. Bardheblutë kërkojnë të marrin dhe një italian. Po punohet për të plotësuar stafin e klubit
Olsi Avdiaj
Zyrtarizohet emri më i ri i Tiranës në merkato. Ai është futbollisti që zbuloi “Sport Ekspres” javë më parë. Quhet Toni Mauexhe, është mesfushor dhe ka luajtur mbi 60 ndeshje me Ugandën. Ai do të jetë futbollisti i ri i Tiranës. Do të luajë nëmesfushë në vend të Ruben Akuasë. Lojtari ka firmosur me bardheblutë dhe shumë shpejt do të jetë në skuadër. Në fakt ishte siti ugandez “kawowo.com”, që deklaroi se futbollisti ishte në bisedime me Tiranën. Por pas disa ditësh gjithçka u zyrtarizua. Ugandezi do të jetë pjesë e bardhebluve. 26-vjeçari është pa ekip prej janarit, ndërsa vjet luajti në Islandë dhe më parë kaluajtur edhe në Norvegji, pa sukses. Menaxheri i tij, duke e tepruar, deklaronte para pak muajsh se Mauexhe do të firmoste në Vietnam, por në gusht do të provohet te Beshiktashi. 26-vjeçari që do të jetë blerja më e re e bardhebluve për sezonin e ri dhe do të jetë një zëvendësues ideal për Akuanë. Mauexhe vjen nga kampionati islandez, ku vitin e kaluar ishte pjesë e ekipit të Prottur të Rekjavikut, që luante në Premier League të këtij vendi, por u rrëzua një kategori më poshtë. Ai është një futbollist me përvojë pasi ka luajtur më parë në këtë kampionat dhe me ekipin e Valur, ndërsa ka qenë pjesë dhe e Haugesund në Norvegi. Mauexhe pritet të jetë një element më shumë për bardheblutë në sezonin e ri, ndërsa këtë vit ai realizoi dhe ëndrrën e jetës së tij për të luajtur në një kompeticion madhor me skuadrën kombëtare, teksa ishte pjesë e ekipit të Ugandës, që luajti në Kupën e Kombeve 2017. Ugandezi do të gjejë të tjerë afrikanë tek Tirana. Bëhet fjalë për Junus Sentamun. Lojtari ugandez mbërriti para ndeshjeve të Europës dhe firmosi kontratë 3-vjeçare. Ugandezi është një sulmues, i cili është vetëm 22 vjeç dhe ka shëtitur në disa shtete, nga Afrika e Jugut deri nëTunizi, ndërsa sezonin e shkuar luajti pak muaj me Ilves nëFinlandë, ku shënoi një gol në 14 ndeshje. Në vitin 2017 ka qenë pa ekip, por në janar ka luajtur tre ndeshje me kombëtaren e Ugandës. Veç ugandezëve Tirana ka afruar edhe brazilianinUellison Luiz de Oliveira Sobrau. Uellison është një mesfushor 23-vjeçar me tipare mbrojtëse, i cili luan në qendër dhe në krah. Në vitin 2015 la Guaranin në Brazil për të kaluar te Çealaul në futbollin rumun, duke luajtur për disa muaj. Megjithatë, kur pritej që të konfirmohej në Rumani, vendosi të kthehej në Brazil, ku luajti te Taboao Serra për pak muaj dhe prej fillimit të vitit 2016 ka luajtur pak muaj te Rio Preto e Mamore, duke qenë pa ekip prej 1 viti! Lojtarët janë aktivizuar në ndeshjet europiane dhe deri tani nuk është se kanë treguar ndonjë gjë të madhe. Po kështu te Tirana mësohet se ka dalë në stërvitje një italian, emri i të cilit nuk bëhet i ditur. Bardheblutë kërkojnë gjithashtu të shtojnë si stafin teknik e mjekësor dhe atë
organizativ. Aktualisht në dyshim mendohet se është mjeku i skuadrës që ndodhet me pushime. Klubi po kërkon gjithashtu të afrojë edhe zyrtarë të tjerë në ekip, duke filluar që nga menaxherë, pasi stafi është shumë i limituar. Edhe pse mbetet zyrtarisht në klub, prej muajsh Devi Muka nuk duket me skuadrën e madhe, madje është shumë larg presidentit Refik Halili.