Më në fund, duket se është mbyllur një herë e mirë telenovela e borxhit të Tiranës ndaj Gjergji Muzakës.
Mesfushori, ish-pjesë e Tiranës, kishte mbi 100 milionë lek pa marrë nga pagat të Tirana dhe kishte fituar gjyqin në të gjitha shkallët.
Tirana vonoi shlyerjen e borxhit dhe iu hoqën 3 pikë nga sezoni i sapombyllur, pikë pa asnjë vlerë, por ultimatumi ishte i prerë, borxhi duhet shlyer dhe pikët e hequra do të shtoheshin, deri te ndalimi i ngjitjes në Superiore.
Megjithatë, fitimi i trofeut të Kategorisë së Parë ka futur në arkat e Tiranës 30 milionë lekë dhe sot Sport Ekspres mëson se është gjetur marrëveshja me Muzakën, që eviton katastrofën.
Mesfushori do të marrë 50 milionë lekë në dorë dhe të tjerat me këste, marrëveshje që ka kënaqur të gjitha palët, sepse edhe Muzaka nuk kishte ndonjë intered që të dënonte Tiranën. Në këtë mënyrë, nuk do të ketë më penalitete dhe Tirana heq një barrë të madhe nga shpina, duke nisur të mendojë seriozisht për sezonin e ardhshëm, me çështjen e trajnerit që do të marrë rrugë që nesër, me takimin e pritur Halili-Ze Maria.