Tirana me gabimin e Partizanit? Laçi tregon arsyen: Gjenetike e shqiptarëve, nuk na pëlqen kur jemi mirë

Arbi Laçi është shefi i sektorit të garave në Ligën Profesioniste, teksa mori një detyrë të re pas largimit të tij nga Tirana. Në një kështjellë të ndërtuar në sezonin e fundit tek bardheblutë, themelet e forta ishin edhe falë materialit që solli ish-drejtori i kampionëve të Superiores. I ftuar në emisionin “Rubrika Sportive” në “RTSH”, Laçi ka folur për detyrën e re dhe funksionalitetin e Ligës Profesioniste, të cilën e ka krahasuar me një foshnje të vogël. Por kur i shtrohet pyetja që tashmë e këmi dëgjuar shpeshherë se përse Tirana kampione përsëriti gabimin e Partizanit kur u shpall kampion, Arbi e sheh si një problem gjenetik të shqiptarëve për të prishur gjithçka edhe kur ndodhen në situatën më të mirë.

Situata te Tirana: “Shumë gjëra ndryshuan, që pas kualifikimit në Gjeorgji. Për të mos u bërë pjesë, apo pengesë e disa gjërave që nuk përkonin me atë se si i shikoja unë, mu desh të largohesha. Më pas largimi im, vijoi dhe me largimin e trajnerit Egbo apo dhe pjesës tjetër të stafit teknik apo dhe pjestarëve të klubit. Gjërat kanë ndryshuar, është një politik ndryshe. Kanë një trajner të ri, një projekt të ri, nuk kanë entuziazmin e vitit të kaluar. Kanë nevojë të përforcohen, po bëjnë gjëra të mira. Unë nuk dua të jem as paragjykues dhe as skeptik. Kanë bërë një lëvizje të mirë siç është Taulant Seferi, por kanë një skuadër tjetër tani, luajnë një futboll ndryshe”.

Gabimi i Partizanit kampion u përsërit te Tirana kampione: “Pavarësisht se kanë specifika të ndryshme, formula e prishjes së një gjëje që funksionon është e njëjtë. Nuk di ta them, ndoshta është genetike, jo vetëm për Partizanin e Tiranë, por e shqiptarëve. Nuk na pëlqen kur jemi mirë, e prishim ndoshta për të pretenduar një formulë tjetër e për të thënë unë e bëra. Personalisht mendoj që kjo është e gabuar, sepse jo vetëm Partizani por edhe Tirana kishin mundësitë për të nisur një cikël fitues, ashtu siç bëri Skënderbeu”.

Bojkoti i fillimit të kampionatit: “Konstatimi që bëhet tani është i drejtë, por edhe është parashikuar më parë. Unë jam me parimin që diçka duhet ta kërkosh që ta marrësh. Bojkoti duhet komplimentuar sepse i dha jetë një forumi, një tavoline të përbashkët me 10 presidentë, të cilët duhet të ishin ulur më heret, jo vetëm për bojkotin por për gjëra shumë herë më të rëndësishme. Ata janë qeveria e Kategorisë Superiore, ata duhet të përcaktojnë politikat e tyre. Bojkoti krijoi këtë forum, që i dha zë 10 klubeve, më pas solli dhe kërkesat që në perceptimin tim janë bazike për të sotmen dhe për të ardhmen”.

Funksionaliteti i Ligës: “Tani që po flasim, do e krahasoj me një foshnje të ardhur në jetë, që ka krijuar një qeveri të vetën, e cila përfaqëson dhjetë klubet e Kategorisë Superiore. Ka një seli dhe ka nisur të krijojë një amendament bashkëpunimi, jo vetëm me FSHF-në por dhe me institucionet e tjera që do të kenë lidhje me strukturimin e garës. Ka problematika që duhen punuar, ka rregullore që duhen përmirësuar. Besoj se është në fillimet e saj dhe kauza e përmirësimit të futbollit apo dhe konfrontimi me qeverinë, nëse mund të themi kështu, për të mirat e sotme dhe të së ardhmes, besoj se ndikojnë dhe në ndërtimin e këtij institucioni, që normalisht duhet të bëjë atë që bëjnë të gjitha Ligat në Europë. Kategoria Superiore duhet të ketë një qeveri autonome, gjithmonë në bashkëpunim me FSHF-në, sepse qëllimi është i njëjtë. Por duhet më tepër vullnet nga presidentët, sepse në shumë raste refuzojnë të bëhen pjesë në përmirësimin e shumë gjërave. Më pas bëhen pjesë aktive vetëm në momentet e ngjashme me atë të bojkotit”, u shpreh Laçi. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online