Tirana po përgatitet për ndeshjen e ditës së martë kundër Kukësit. Sfida zhvillohet në stadiumin “Selman Stërmasi” në orën 18:00 dhe bardheblutë do të kërkojnë fitoren e këtij takimi. Përballja është e vështirë, pasi të dy ekipet janë në nevojë për pikë.
Klubi bardheblu ka bërë një kërkesë sa i përket kësaj ndeshje, duke mos besuar te të gjithë arbitrat shqiptarë. Tirana kërkon një arbitër ndërkombëtar dhe ka bërë kërkesën e saj zyrtare në FSHF.
Arbitrat e FIFA-s janë tre: Enea Jorgji, Juxhin Xhaja dhe Eldorjan Hamiti. Tirana kërkon një prej këtyre të treve, por FSHF nuk i është përgjigjur ende kërkesës së klubit kryeqytetas.
Një gjë e tillë ndodhi dhe në javën e kaluar, kur Flamurtari kërkoi ndryshimin e arbitrit për ndeshjen Kukësi-Flamurtari. Blerim Ziri ishte caktuar si kryesori i sfidës së luajtur në Kamzë, ndërsa vlonjatët nuk ishin dakord, duke kërkuar një arbitër tjetër. FSHF reagoi dhe i besoi sfidën Olsi Sokolit, i cili kreu një arbitrim pozitiv dhe nuk pati asnjë kontestim nga palët.