Klubi i Tiranës, me një reagim për mediat, ka mohuar lajmet për gjyqin e anuluar të Gjergji Muzakës, duke njoftuar se janë në pritje të datës së seancës gjyqësore që do të zhvillohet në KAS. Bardheblutë, në deklaratën e tyre për mediat, tregojnë edhe kontaktet e vazhdueshme me KAS-in dhe janë të bindur se do të ketë drejtësi për ta lidhur me çështjen Muzaka. Sipas bardhebluve, deri më tani, nuk ka pasur asnjë vendim, “pro” apo “kundër”, ndërsa për çdo detaj apo informacion lidhur me lajme rreth bardhebluve, do të ketë informacione nga zyra e shtypit.
REAGIMI – Klubi bardheblu ka reaguar me anë të zëdhënësit për shtyp Arbi Laçi, i cili sqaroi: “Përgjatë ditës së djeshme dhe ditës së sotme është shkruar lajmi për çështjen “Muzaka”. KF Tirana dëshiron t’iu njoftojë se lajmet për gjyqin e anuluar në KAS Lozanë janë të pavërteta. Klubi ka apeluar vendimin e Komisionit të Disiplinës në FSHF dhe pret të zhvillohet procesi gjyqësor në muajin shtator (sipas njoftimeve zyrtare nga KAS). KF Tirana ju fton të konfirmoni lajmet nëpërmjet zyrës së shtypit që mbetet gjithmonë në dispozicionin tuaj. Faleminderit”.
SITUATA – Në muajin janar, Tirana humbi në Dhomën Kombëtare të Zgjidhjes së Konflikteve gjyqin me mesfushorin Gjergji Muzaka, që pretendonte disa paga të prapambetura. Vetë klubi bardheblu pranoi asokohe se ka detyrime ndaj futbollistit, por çështja ishte te paga, për shkak të nja klauzole që thoshte se kur lojtari është i dëmtuar do të paguhet me shumën e një milion lekëve, ndërkohë që Muzaka gjatë kohës së aktivizimit kishte një pagë që i shkonte në 7 milionë lekë. Fundi i gjyqit dha verdiktin që bardheblutë do t’i paguanin mesfushorit shumën e 107 milionë lekëve, gjë që u kundërshtua nga presidenti Halili, që e ka dërguar çështjen në KAS.