Vazhdon eksodi i futbollistëve drejt Kosovës, kampionat “i uritur” për lojtarë me eksperiencë, por edhe të rinj pa probleme ambientimi e me kosot të ulët financiare. Nëse të huajt nga Europa ende nuk e kanë zbuluar Kosovën dhe gjithashtu afrikanët janë ende me pakicë, shqiptarët po përfitojnë dhe janë të shumtë ata që kanë bërë “valixhet” këtë verë.
I fundit në listë është mbrojtësi i Tiranës, David Domgjoni, i cili është kthyer në shtëpi, sepse ka firmosur për Lirinë e Prizrenit, mëson “Sport Ekspres”.
20-vjeçari luan prej disa vitesh në Shqipëri, kryesisht te Tirana, përveç një periudhe të shkurtër huazimi te Kastrioti.
Sezonin e shkuar Domgjoni luajti 13 ndeshje në Superiore, por nuk konsiderohej titullar nga Ze Maria, edhe pse këtë verë u largua edhe Olsi Teqja. Kjo ka bërë që Domgjoni të shohë mundësitë e tij dhe e ka joshur oferta e Lirisë së Bledi Shkëmbit, që pas startit me humbje në kampionat ka nisur kërkimin edhe për ndonjë përforcim tjetër deri në fund të gushtit.