Tirana ka arritur të shpëtojë nga rënia në Kategorinë e Parë. Pas një nisje skandaloze të kampionatit, askush nuk besonte te bardheblutë. Por pas ardhjes së Orges Shehit, fitoret nisën radhazi aq sa bardheblutë jo vetëm që shpëtuan pa shkuar as në Play Out, por po i afroheshin edhe Partizanit me pikë. I ftuar në “Mega Sport” që transmetohet në “A2 CNN”, Ilir Alliu ka duartrokitur arritjen e Shehit.
“Tirana ishte pa asnjë shpresë, duhet t’i japim meritat. Suksesi i shkon ekipit, por sidomos trajnerit Orges Shehi. E mori ekipin në një moment aq të vështirë dhe i ka dhënë shumë kredite vetes pas kësaj. Të gjithë specialistët po dilnin kundër, që ishte thuajse e pamundur të ndodhte kjo, Shehi e mori dhe e dërgoi Tiranën këtu. Duhet të përgëzohet Shehi dhe ekipi që e ndoqi mbrapa. Tirana është i vetmi ekip që nuk u paragjykua asnjëherë në fundin e këtij kampionati dhe mbijetoi në Superiore, me djersën e saj”, tha Alliu. /Sport Ekspres/