Ernest Gjoka ishte vjet në krye të Vllaznisë, ndërkohë që tanimë nuk drejton asnjë ekip. Tekniku kryeqytetas ka dhënë së fundmi një intervistë për “Telesport” dhe flet gjerë e gjatë për kampionatin tonë, trajtimin e trajnerëve të huaj, por edhe atyre vendas.
Dy fjalë edhe për opsionin Kamza që u lakua për të, por edhe për trajnerët e rinj që drejtojnë. Gjithashtu ai tregon edhe skuadrat që do të rivalizojnë për tre vendet e para në kampionatin tonë, duke mos përmendur në asnjë moment Tiranës.
NIVELI I SUPERIORES – “Rënie nuk ka, sepse kampionati sa vjen dhe rritet. Edhe pse shume klube nuk kanë nivel të lartë ekonomik, kanë ekipe me shpirt gare. Fillimi i kampionatit ka treguar se është një garë me grinte . Kampionati ka nisur egër dhe nganjëherë duket sikur nuk ka cilësi, por është ai stresi për të marrë pikët që e frenon cilësinë. Gradualisht do i shohim ekipet, si Flamurtari që është bërë ekip i ri, Kukësi që do të jetë pretendent, Partizani dhe Teuta që ka ndryshuar. Do shikojmë që gradualisht çdo gjë do të shkojë në vendin e vet”.
NDIKIMI I DËNIMIT TË SKËNDERBEUT – “Padiskutim është një problem shumë i madh, sepse bëhet fjalë për një ekip që tregoi profesionalizëm për shtatë vjet në bërjen e skuadrës, në mbajtjen e skuadrës, në trajtimin si institucion të trajnerit dhe stafit. Skënderbeu është një handikap i madh sot në futbollin tonë, sepse është në stresin e pritjes së përgjigjes së KAS-it. Nëse e kalon këtë problem, absolutisht e shoh Skënderbeun sërish fitues në janar”.
TRAJNERËT E RINJ – “Mendoj se çdo lëvizje bëhet për mirë. Janë kolegë të rinj, që duan të ecin përpara. E shoh pozitive, pasi duhet që njëherë të dalësh në treg. Pastaj se sa i aftë je për ta mbajtur vendin, do e tregojë. Duhet kuotuar diçka, bota e trajnerit me të futbollistit janë të ndryshe. Nëse vazhdon mendon se ke qenë sportist i mirë dhe do jesh trajner i mirë, je në një rrugë pa krye. Nëse e harron çështjen e futbollistit të mirë, por do të bëhesh trajner i mirë, absolutisht që nga mëngjesi deri në darkë duhet të studiosh dhe të punosh. Luftën e trajnerëve të rinj e shoh pozitive. Uroj që ky brez të jetë profesional dhe qytetar, si dhe të luftojë me mjetet e punës brenda llojit”.
TRAJTIMI I TRAJNERËVE TË HUAJ DHE SHQIPTARË – “Problemi është i qartë, gjithë kohën ne shqiptarët kemi një lloj respekti më shumë për çfarë vjen nga jashtë. Na duket sikur çfarëdo lloj malli që vjen nga jashtë është më i mirë se i yni. Kjo ndoshta vjen edhe nga periudha e komunizmit q kemi kaluar, kur ne ishim inferiorë ndaj botës. Mendoj se duhet të shikojmë në tregun tonë rezultatet. Pikërisht me to matet trajneri. Në dhjetë vitet e fundit cili trajner i huaj ka dhënë në kampionatin shqiptar. Trajnerë si Daja dhe Josa kanë shkuar në Europa League, trajnerët tanë kanë luftuar fort në Europa League dhe Champions, duke ecur përpara. Ata kanë bërë mirë me skuadrat shqiptare. Një meritë për këtë e ka pasur rritja dhe egoja e çdo trajneri shqiptar. Mendoj se trajnerët e huaj trajnohen më mirë vetëm për çështje menaxhimi. Trajnerët shqiptarë ndoshta falin ndonjëherë, nuk bëjnë kontratat si duhet. Të huajt vijnë bëjnë kontratë dhe flasin për punën. Edhe ne duhet të shkojmë drejt kësaj rruge. Edhe pse në anën e rezultateve nuk kanë lënë shenjë, në anën e menaxhimit të vetes dhe anës ekonomike kanë qenë shumë para nesh. Ata kanë ditur të menaxhojnë veten, kanë treguar dinjitet për ata që vlejnë”.
TITULLI – “Ekipet elitare janë gjithmonë prezent. Nuk mund të lëmë pa harruar që në këto vitet e fundit kanë qenë Skënderbeu dhe Kukësi, plus Partizani, lokomotiva kryesore. Sivjet mendoj se është një Flamurtar ndryshe, pa harruar Kukësin ambicioz, Partizanin dhe Teutën. Ribërja e tyre është shumë specifike, pasi kanë lojtarë me eksperiencë që mund ta mbajnë gjatë presionin. Nuk e di si mund të shkojë, por edhe Laçi është te ky grup. Janë katër pesë skuadra që do të luftojnë si gjithmonë për tre vendet e para”.
KAMZA – “Nuk ka asgjë të vërtetë. Unë jam nga ata trajnerë që mendoj se kur gjërat bëhen reale, duhen thënë. Kështu që emri do lakohet, jam një trajner që ka një përvojë, padiskutim do lakohet në gazeta apo në tavolinat e presidentëve”.