Të shtunën në orën 18:00, Juventus pret Xhenoan dhe synimi i djemve të Maks Alegrit janë tre pikët e radhës. Trajneri i bardhezinjve ka folur në konferencën për shtyp, duke folur për gjendjen e ekipit të tij. Ndeshjet pas pushimit të kombëtareve janë gjithmonë të rrezikshme dhe kreu i stoli juventin kërkon nga ekipi të japë maksimumin.
Ai zbulon disa detaje nga formacioni që do të hedhë në fushë, ndërsa flet dhe për Kristof Piatek, sulmuesin e rrezikshëm të Xhenoas dhe golashënuesin më të mirë të Seria A. Në fund fjalë pozitive për kombëtaren e Italisë. Djemtë e Mançinit dhuruan një paraqitje fantastike kundër Polonisë dhe arritën të siguronin tre pikët në fundin e takimit.
XHENOA – “Duhet të mbajmë një profil të ulët, të punojmë dhe të mendojmë ndeshje pas ndeshje. Pozitiviteti i tepërt e ul energjinë. Ndodhemi në një moment të rëndësishëm dhe gabojmë nëse mendojmë se e kemi fituar ndeshjen pa luajtur. Ndeshja e parë pas ndërprerjes është e rrezikshme dhe Xhenoa do të luajë në mënyrë agresive kundër nesh. Duhet të vrapojmë dhe të përdorim trurin, përveç teknikës që zotërojmë.”
PIATEK-CR7 – “Ai është një katalizatori i topave të zonës. Topi arrin aty ku Piatek dëshiron të arrijë. Kristiano është shumë i qetë, po punon mirë, ndërsa nuk më takon dhe nuk dua të përgjigjem për gjëra personale të tij. Ai është përshtatur shumë mirë me ne, ka një përulësi të madhe dhe ka rritur ndjenjën e përgjegjësisë në ekip, që ky ekip e ka pasur gjithmonë. Pastaj është goli, gjëja që di të bëjë më mirë se të gjithë.”
FORMACIONI – “Në portë do të luajë Shezni, ndërsa Kielini do të qëndrojë pushim. De Shiljo mund të luajë në krahun e majtë të mbrojtjes. Duhet të vlerësoj gjendjen e Aleks Sandros, i cili nuk luajti në ndeshjen e fundit me kombëtaren, por dje zhvilloi një stërvitje të mirë. Bentakur mund ta nisë nga fillimi me Emre Çan që mund të luajë para mbrojtjes. Uruguaiani mund të bëjë mirë dhe njërin nga dy qendrat e mesfushës. Duhet të vlerësoj gjendjen e mesfushorëve, përpara se të vendos. Dagllas Kosta do të nisë nga stoli dhe mund të luajë 30 minuta. Ka punuar mirë, por i mungojnë minutat në këmbë. Edhe Dibala mund ta nisë nga fillimi.”
KOMBËTARJA – “Jam i lumtur me mënyrën se si Italia luajti kundër Polonisë, sepse vazhdon të përflitet fakti që nuk kemi lojtarë, kombëtarja është e dobët dhe gjithçka është një katastrofë. Nëse dikush të thotë çdo ditë se je një idiot, edhe pse ti nuk e beson, vjen një moment kur e pyet veten: ‘sinqerisht që nuk jam një idiot, apo jo’? Duhet të shohim gjërat pozitive. Ka nisur një cikël i ri me lojtarë të rinj dhe Mançinin. Italia zhvilloi një futboll të bukur, të pëlqyeshëm dhe fitoi përballë Polonisë.”