Teutës nuk i mjafton Haxhibuliç, Laçi e përmbys në Durrës

Kurbinasit fituan në “Niko Dovana”, ndërkohë që të dyja skuadrat janë vetëm në hapat e para të përgatitjeve. Shumë lojtarë në provë, Maganin nuk e bindin

Vladimir Prenga

Laçi dhe Teuta u përballën ditën e djeshme në një përballje miqësore të luajtur në stadiumin “Niko Dovana”, sfidë që u fitua nga kurbinasit me rezultatin 1-3. Të dyja ekipet u paraqitën me lojtarë të rinj, të cilët u përpoqën të bindnin trajnerët respektive. Si Teuta, ashtu edhe Laçi kishin lënë disa titullarë pushim, teksa te bardhezinjtë nuk luajtën Vucaj e Qaqi që nuk janë stërvitur pak këtë periudhë, si dhe Lushkja që ka pasur një shqetësim të vogël. Për të kaluar te ndeshja, pjesa e parë nuk dhuroi asnjë gol, ndërkohë që në të dytën Magani hodhi në fushë lojtarë si Dosti, Beqja, Hila dhe kroati Hrkaç, për të ardhur te goli në minutën e 52-të. Ishe Senad Haxhibullic ai që shënoi për durrsakët, por avantazhi zgjati vetëm 15 minuta, pasi Arbër Shala, i aktivizuar si mesfushor ditën e djeshme, arriti të shënojë golin e barazimit. “Dorë për dorë” ka ardhur edhe goli tjetër për Laçin, që realizoi me Alesandro Mehmetin, sulmuesin që ka provuar të luajë me të rinjtë e Internacional Tiranës, ndërkohë që periudhën e fundit ka luajtur në Gjermani. 19-vjeçari shtatlartë po vëzhgohet nga trajneri Nica, ashtu si Tejeci, sulmuesi Xhixha, mesfushori Smaçi e të tjerë. Në fund të ndeshjes Laçi shënoi edhe golin e tretë me Gjonin me penallti.

TRAJNERËT – Gugash Magani pas ndeshjes ka folur në lidhje me miqësore me kurbinasit dhe lojtarët që ishin në provë, duke mos dhënë notë kaluese për ta. “Jemi vetëm në fillim të përgatitjeve dhe kjo ndeshje nuk është një barometër për ne. Patëm mundësinë të shihnim disa elementë të rinj dhe them se nuk më kanë bindur”, tha shkurtimisht për gazetën tekniku peqinase. Në anën tjetër, trajneri Nica vlerësoi grintën e ekipit të tij dhe dëshirën e të rinjve për të luajtur, por pranoi se kanë punë ende për të bërë. “Mund të them se ishte një test pozitiv. Më pëlqeu dëshira dhe grinta që lojtarët paraqiten në fushë. Kjo është ajo që unë dua, luftë sportive, që duhet ta tregojnë edhe në të ardhmen. Por duhet punë shumë. Sa i takon atyre që do qëndrojnë, do të vendosim deri në fund të kësaj jave”, deklaroi Nica.

Teuta – Laci      1-3

Shënues: Haxhibuliç 52’/ Shala 67’, Mehmeti 69’, Gjoni 87’ (pen.)

Teuta: Vata, Shehi, Shkalla, Beqja, Hoxha, Lajthia, Lika, Vila, Mara, Hasa, Haxhibuliç. (U aktivizuan: Kastrati, Hrkac, Beqja, Dosti, Hila). Trajner: G. Magani

Laçi: Selmani, Fangaj, Gjoni, Sefgjini, Shala, Popaj, Jonuzi, Bushi, Bardhi, Perkeqi, Mehmeti. (U aktivizuan: Tejeci, Duka, Xhixha, Smaçi, Kallaku, Mehidri, Shehu). Trajner: S. Nica

 

Miqësoret e Teutës në Itali (Pezaro)

23 Korrik

Teuta-Çezena

30 Korrik

Teuta -Vis Pezaro

2 Gusht

Teuta-San Marino

5 Gusht

Teuta-Rimini

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *