Teuta, paska qenë e vërtetë!

Që Magani punon mirë e me pasion dhe ekipet e tij luajnë një futboll cilësor, kjo nuk është vënë ndonjëherë në dyshim. Por kushedi pse kur e dëgjoje qoftë dhe në privat të thoshte se “këtë radhë jam për titull”, pa dashur ta fyesh mendoje me vete: po ky, a është mirë nga trutë e kokës? Emrat nuk ishin sugjestionues. Madje kishte dhe dyshime. Albi Dosti, për shembull. Ky është talent i madh, ose më saktë ishte i tillë, dhe kishte vite që nuk gjente veten. Ndër më të mirët në fitoren në Shkodër. Te Çyrbja u besua sërish. Për të katërtin vit radhazi me shpresën se do jetë viti i tij. Super gol! Super, super gol! Osemene dhe Latif ishin tjetër gjë në sulm. Ndërkohë që për Lenën fjalët janë të tepërta.

Tani, që Gashi e tepron, e tepron, Teuta e tij ende nuk të bind për titull, por nëse ke 6 pikë pas dy sfidave dhe ke fituar në Shkodër duke dominuar e duke mos rrezikuar asnjëherë, do të thotë që pa gjë nuk je. Ndonjëherë nuk kuptohej kush ishte skuadër vendase, Teuta apo Vllaznia. Meqenëse jemi te Vllaznia. Sa herë ky ekip rrethohet nga euforia, kushedi pse e pëson.

Fitorja në Fier dhe treshja Hasani-Vucaj-Lika kishin sjellë më shumë se 7 mijë njerëz në stadium, por si i thonë fjalës, njerëzit mirë që i sjell, por duhet të dish dhe t’i mbash. Megjithatë, Vllaznia është ajo që është dhe dihet se mund të ketë dhe ditë “jo”, ndërsa Teuta, duhet t’i kërkosh ndjesë Maganit se gjatë verës të bezdiste me refrenin që është viti i duhur. Qenka e vërtetë. Ishalla nuk e lexon Gashi këtë shkrim. Pas nëntë vitesh pa fituar asnjë trofe, edhe nuk të besojnë më njerëzit. Bëj shaka, ai pikërisht për ato çka bërë gjithë këto vite e supermeriton një trofe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *