Pa zhurmë, Teuta ka nisur punën për ndërtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm, duke bërë revolucion, sepse thuajse e gjithë skuadra e sezonit të fundit është larguar.
Deri në mesin e këtij muaji priten shumë lojtarë, pasi trajneri Gugash Magani synon të nisë stërvitjen duke pasur të paktën 15-16 lojtarë në dispozicion, për të pritur më pas me qetësi disa përforcime deri në fund të gushtit.
Ndërkaq, klubi durrsak ka nisur punimet në stadiumin Niko Dovana, që me kalimin e viteve natyrisht ka nevojë për ndërhyrje.
Me një postim në faqen e klubit në Facebook, Teuta tregon punimet që po kryhen në stadium, si në ambientet e brendshme, ashtu edhe në tribunën kryesore. Gjithashtu, në pjesën ballore do të vendosen stola, për ta kompletuar stadiumin, duke qenë se prania e stolave është një detyrim sidomos në kupat e Europës, përtej komoditetit të tifozëve në ndeshjet brenda Shqipërisë.