Fatjon Baze ishte i ftuar në emisionin “Sport Magazine” që transmetohet në “Ora News” dhe moderohet nga Drilon Xhepollari. I pyetur për ecurinë e Superiores dhe fazën vendimtare për titullin kampion, Baze vlerësoi faktin se ndeshjet e Partizanit dhe të Tiranës janë lënë në të njëjtin orar, duke hequr çdo dyshim të mundshëm. Nga ana tjetër besohet se Teuta mund të hap sërish llogaritë e titullit kampion me një rezultat pozitiv në ndeshjen kundër Tiranës.
“Tirana është më e favorizuar për titullin kampion për shkak të distancës së pikëve. E kundërta është për Partizanin, janë të dënuar për të fituar të gjitha ndeshjet e mbetura. Teuta i ka të gjitha mundësinë që të arrijë rezultat pozitiv me Tiranën. Ata do të synojnë që të marrin maksimumin e tyre për të shkuar në Europë, vijnë nga rezultate të mira. Një hap fals për Tiranën e ndërlikon rrugën për titullin para derbit. Ishte e ndershme pjesa që ndeshjet e Partizanit dhe të Tiranës u vendosën në të njëjtin orar, kështu evitohet çdo dyshim dhe prapaskena. Te Partizani besojnë shumë te titulli kampion, pavarësisht distancës me Tiranën”, tha Baze. /Sport Ekspres/