“Ai që kërkon, gjen!”. Me këtë parim, Teuta ka befasuar në merkato dhe kërkon të vazhdojë me goditjet surprizë. Pasi afruan Hidin, Bicajn dhe Tefik Osmanin, bregdetarët kërkojnë një tjetër emër të afirmuar në futbollin shqiptar.
Erjon Vucaj është kthyer në objektivin e “djemve të detit”. Fantazisti, i cili prishi kontratën me Vllazninë, cilësohej fare pranë Luftëtarit, skuadër tek e cila luajti i huazuar në Europa League. 27-vjeçari kishte një marrëveshje parimore me bluzinjtë, për të firmosur edhe për sezonin e ri.
Por, me firmën që ende nuk ka ardhur, Teuta provon të përfitojë. Sipas “Super Sport”, drejtuesit e klubit kanë kontaktuar me mesfushorin, duke i kërkuar t’i bashkohet ekipit të Shkëmbit. Vucaj nga ana e tij ka kërkuar edhe pak kohë, për të sqaruar çfarë do të ndodhë në Gjirokastër.
Një opsion për fantazistin shkodran është edhe kampionati turk, ku nuk ka munguar interesi nga Liga e Parë e këtij vendi. Ofertat janë në tavolinë, ndërsa Erjon Vucaj duhet të zgjedhjë. Edhe sepse koha shtrëngon, pasi kampionati në Shqipëri nis pas një jave.