Tre javë në Ohër, për të përballuar një sezon të gjatë dhe të vështirë. Teuta i dha fund fazës përgatitore në Maqedoni dhe kthehet në shtëpi.
Në total 20 ditë qëndrimi dhe riformatim thuajse i plotë i skuadrës, me afrimin e emrave si Hidi, Vecaj apo Bicaj. Gjithsesi merkato ende nuk cilësohet e mbyllur. Bregdetarët luajtën edhe katër miqësore në Ohër ku fitoi një, barazoi një tjetër dhe pësoi dy humbje.
Puna tashmë do të vijojë në Durrës, por fillimisht lojtarëve do t’u lihet fundjava pushim. Një mënyrë për të rikuperuar energjitë pas stërvitjeve intensive, por edhe për të takuar familjarët pas largimit të gjatë.
Të hënën të gjithë lojtarët do të kthehen në fushë, nën urdhërat e trajnerit Bledi Shkëmbi. Përgatitjet tashmë do të orientohen për ndeshjen e parë të kampionatit, më 19 gusht, në Durrës ndaj Flamurtarit.