Teuta merr një fitore të artë ndaj Kukësit dhe tani regjistron suksesin e dytë në pak ditë. “Djemtë e detit” e panë veten në disavantazh pas çerek ore lojë, me Gurin që në sytë e trajnerit të Kombëtares Kristian Panuçi dhuroi spektakël duke shfrytëzuar maksimalisht daljen jo të mirë të portierit vendas. Durrsakët gjetën forcat për të përmbysur rezultatin që në pjesën e parë, teksa 5 minuta pas golit të kuksianëve, Alla ndali në mënyrë të parregullt sulmuesin Latif dhe 11-metërsh në favor të të besuarve të Begejës për gjyqtarin. Nuk gabon nga pika e bardhë Hila që barazoi shifrat. Kur duheshin dhe 3 minuta nga fundi i pjesës së parë ishte Çyrbja që me një inkursion të bukur nga e djathta bëri gjithçka mirë dhe i vetëm me Frashërin gjeti golin e avantazhit. Në pjesën e dytë Hrkaç mori maksimumin pas harkimit të Hilës nga goditja e dënimit dhe çoi shifrat në 3-1. Kukësi reagoi me Gurin që shënoi dhe golin e dytë personal, pas pasimit të Ethemit, por vetëm kaq. Verilindorët humbasin jo vetëm një ndeshje por dhe statusin e kampionit, pasi Skënderbeu tashmë është zyrtarisht kampioni në fuqi. Teuta në krahun tjetër me 40 pikë arrin Kamzën në klasifikim dhe lë kështu zonën e ftohtë.
Teuta 3
Kukësi 2
Shënues: Hila 21’ pen., Çyrbja 42’, Hrkaç 49’ / Guri 16’, 67’
Teuta: Moçka, Gjeorgjievski (Vila 74′), Shkalla, A.Bilali, Hakaj, Çyrbja, Hila, Hrkaç (D. Bilali 80‘), Kruja, Lajthia (Dediç 69′), Latifi. Trajner: Gentian Begeja. (Të gatshëm: Kastrati, Peqini, Lika, Hugo).
Kukësi: Frashëri (Koliçi 52’), Zderiç, Shameti, Alla (Hoxha 46’), Rrumbullaku, Idrizi, Imami, Musolli, Ethemi, Shkodra (Koldashi 58’), Guri. Trajner: Peter Pakult. (Të gatshëm: Peposhi, Balde, Joti, Ebipi).
Gjyqtarë: K. Kola, E. Ganxhi, D. Myftari, E. Jorgji.
Delegat: B. Çela; Vëzhgues: I. Kristo.
Kartonë të verdhë: Bilali 37’/ Alla 20’, Ethemi 29’
GOLAT
16’ – Kros në zonën e Teutës, Shameti kalon në anësore për Gurin, i cili i vetëm me Moçkën në pozicion mjaft të prirët me qetësi shënon një gol mjaft të bukur.
21’ – Alla ndaj me faull Amadu Latifin dhe penallti. Hila nuk gabon dhe barazim.
42’ – Çyrbja depërtim i shpejtë nga e djathta, i vetëm me portierin nuk gabon dhe Teuta në avantazh.
49’ – Hila hedh një top nga goditja e dënimit, askush nuk e devijon topin, i cili shkon te Hrkaç që realizon golin e tretë për durrsakët.
67’ – Ethemi vepron bukur nga e djathta dhe pason për Gurin, ku shkodrani me të parën tenton dhe gjen rrugën e rrjetës duke ngushtuar diferencën.