Teuta ka marrë një fitore spektakolarë mbrëmjen e sotme. Durrsakët “çmenden“ kundër Kukësit dhe si asnjëherë më parë për këtë sezon në “Abissnet Superiore“ arrijnë të shënojnë 4 gola në një ndeshje. 4-1 është rezultati i fiksuar pas vërshëllimës së trefishtë të Kridens Metës.
Rubin Hebaj ka shkëlqyer këtë mbrëmje, teksa mban firmën e 3 prej golave të realizuar. Ishte pikërisht shkodrani ai i cili zhbllokoi rezultatin në minutën e 12 me aën të një goditjeje me kokë pas ekzekutimit të një goditjeje këndi. Musta barazon në minutën e 36, por goli i tij do të shërbejë vetëm për statistikë. Hebaj e nis pjesën e dytë përsëri me festë, duke shkundur rrjetën në minutën e 52-të. Më vonë, në të 68-n, ishte Daci ai i cili mposhti Xhikën me një parabël.
Megjithatë rrebeshi i golave nuk do të përfundonte këtu, pasi Rubin Hebaj e dërgon përsëri topin në rrjetë në mintën e 84-t. Këtë herë nga pika e bardhë e penanlltisë. Shkodrani i jep kështu një fitore mjaft të rëndësishme Teutës dhe nxjerr nga Europa Kukësin, i cili tashmë renditet në vendin e 4-t, me pikë të barabarta me Partizanin./Halit Delibashi-Sport Ekspres/