Durrsakët duhet të përmbysin Tërbunin në ndeshjen e kthimit, por duhet të mendojnë dhe për ndeshjen e fundjavës
Durrsakët e nisën në mënyrën më të mirë të mundshëm kampionatin e i këtij viti, teksa në dy javët e para e panë veten në krye të klasifikimit. Humbja me Flamurtarin bëri që të uleshin me këmbë në tokë, por jo të humbasin ambiciet e tyre. Nëse në kampionat gjërat mund të themi se janë në rrugën e duhur, në Kupë jo gjithçka ka shkuar sipas llogarive. Të besuarit e Gugash Maganit u mundën në ndeshjen e parë 1-0 në fushën e Tërbunit, duke komplikuar disi çështjen e kualifikimit, ose më saktë duke i shtuar punë vetes për ndeshjen e kthimit. Në këtë mënyrë “djemtë e detit’ duhet të djersinë maksimalisht për të siguruar një biletë kualifikimi për në raundin tjetër. Në këtë ndeshje, stafi teknik pritet që të angazhojë një pjesë të titullarëve, për të mos e lënë gjithçka në dorë të fatit, pasi nuk duan që të heqin dorë nga një kompeticionin i dytë për nga rëndësia, duke pasur parasysh se përmes kësaj rruge mund të sigurohet një biletë Europiane. Pretendimet në kampionat këtë edicion për Teutën janë madhore, ndaj veç impenjimit maksimal me Tërbunin duhet menduar dhe për ndeshjen me Kamzën në fundjavë, duke pasur parasysh që këta të fundit kanë komoditetin për të mos harxhuar shumë energji në Kupë edhe pse luajnë afro 24 orë pas durrsakëve. Në “Niko Dovana”, skuadra pret dhe mbështetjen e tifozerisë, e cila duket s epo bindet ndeshje pas ndeshje se ka një skuadër të denjët për të konkurruar dhe me skuadrat të ashtuquajtura të mëdha. Përmes postimit në faqen zyrtare në ‘Facebook” bëhet me dije se përballë Tërbunit hyrja do të jetë e lirë, ndaj pritet mbështetje maksimale.