E quajnë Legjendë, të Partizanit po e po, por edhe të gjithë Shqipërisë dhe kjo është arritja më e madhe, sepse duhet të jesh fenomen në çdo drejtim, që të të duan e të të respektojnë të gjithë, edhe ata të cilët i trishton me golat që u shënon dhe trofetë që u rrëmben.
Sot mbushen 8 vite që Panajot Pano u nda nga jeta, në moshën 71-vjeçare në Amerikë. Plot 18 vite karrierë brilante, 210 ndeshje të luajtura e136 gola për Partizanin, ku fitoi pa fund: 4 kampionate e 5 Kupa.
Një yll edhe me përfaqësuesen e Shqipërisë, ku Pano regjistron 24 ndeshje duke shënuar edhe 4 gola. Mos harroni, ishin kohëra të tjera, nuk luanim ndeshje pa fund si tani. Ishin kohëra të errëta në aspektin personal, sepse futbolli nuk ishte profesionist dhe talentet si Pano nuk lejoheshin as të shkonin në kampionate ku mund të pasuroheshin dhe as nuk kishin kontrata të majme, koncept që nuk ekzistonte fare. Luhej për pasion e për fanellë, ajo që kërkojnë më kot tifozët e futbollit modern, sepse e dinë që është e pamundur.
Panajot Pano është nderuar me shumë çmime:
“Mjeshtër i Merituar i Sportit”
“Lojtari më i mirë i të gjitha kohërave” akorduar nga FSHF në vitin 2003
“Lojtari i Shekullit” akorduar nga Uefa/Fifa
“Nderi i Kombit” akorduar nga ish presidenti republikës Bamir Topi në vitin 2009
“Simboli qytetit të Tiranës” titull i akorduar nga kryetari Bashkisë Erion Veliaj në vitin 2017
Edhe Partizani, me një postim në faqen e vet në internet, ka kujtuar legjendën e futbollit tonë. Figura e Panajot Panos vazhdon të kujtohet gjatë sidomos për golat e paharruar të cilët mbeten ngahera të gdhendur në historinë e futbollit shqiptar dhe në kujtesën e tifozëve dhe sportdashësve dhe kujtohet si një legjendë e gjallë e sportit shqiptar.