Stafi i ri teknik kërkon të fitojë kohën e humbur për kompletimin e ekipit. Shumë të rinj po vëzhgohen me kujdes nga trajneri Fernandez
Gëzim Beqiri
Dita e dytë e stërvitjes së Luftëtarit u krye në dy orare të ndryshme. Një ditë më parë dyshja e trajnerëve uruguaianë njoftoi njëri grup të futbollistëve se do të grumbullohej në “Fushën e Vjetër” për të zhvilluar stërvitjen veçmas grupit tjetër. Në grupin e dytë bënin pjesë ata futbollistë, të cilët mund të konsiderohen si pjesë e formacionit të këtij sezoni, jo vetëm nga fakti se janë edhe një vit nën kontratë me gjirokastritët, por janë edhe titullarët e sezonit të mëparshëm. Dhe fjala është për emra të tillë si Miraka, Ruçi, Beqiri, Rapo, Rapa, Rroca, Aleksi, Ramadani, Abazaj, Bregu, Zogaj dhe Brahimaj, por dhe të rinjtë S.Puci, R.Çela, R.Mahmutaj, A.Zijai, por edhe Dh.Puci, që është rikthyer te Luftëtari pas tri vitesh aktivizimi me Kallamatën në Greqi, si dhe Sh.Boni e A.Çunaj, që qëndruan një vit larg futbollit për shkak dëmtimi.
TESTI – Më parë dyshja e trajnerëve Fernandez-Urbelo testoi një tjetër grup futbollistësh vendës, që kanë qenë më parë pjesë e Luftëtarit, por, duke mos gjetur mundësi aktivizimi në këtë skuadër, janë huazuar te Përmeti, Memaliaj, Tepelena, Këlcyrë dhe Butrinti. Bashkë me ta, në stërvitjen që u zhvillua në orën 16:00, ishin edhe shumë futbollistë të rinj nga ekipe të tjera të vendit. Të ardhur nga Tirana, Pogradeci, Fieri, Vlora dhe Delvina preferuan të mos prezantoheshin, sepse ishin në periudhë prove. Bashkë me gjirokastritët e tjerë, Roko, Qyrani, M.Kazma, S.Matushi, I.Bajo, K.Kazma, K.Këndella, M.Mersini, M.Biraçi, trajneri Fernandez improvizoi dy skuadra, duke u marrë më parë mendimin atyre për rolin që mund të luajnë në një ndeshje. Përpara zhvillimit të këtij testi, u bëri me dije se do t’i vëzhgojë me kujdes, pa anësi, nga fakti se nuk ka asnjë njohje për secilin prej tyre. Në fund të lojës i falënderoi për impenjimin në lojë edhe nga fakti se luajtën në kushtet e një temperature të lartë. Po ashtu, u tha të paraqiten edhe sot për stërvitje.
EKIPI – Në orën 18:00 u zhvillua stërvitja me grupin tjetër, ndryshe nga veprimet që u kryen me grupin e parë. Stafi teknik nuk i vendosi në lojë, por vazhdoi punën sipas programit. Afrimi i shumë futbollistëve në provë, qofshin këta edhe nga ekipet e tjera, po bëhet me shpejtësi për të fituar kohën e humbur nga fillimi me vonesë i stërvitjes. Nga fundi i javës tjetër është vënë si detyrë të bëhet kompletimi i grupit prej 25 futbollistësh, të cilët do të vazhdojnë fazën përgatitore në Vollos të Greqisë, kur pritet edhe ardhja e disa futbollistëve të tjerë nga Greqia, ashtu si edhe është thënë e premtuar se do të këtë përforcime të reja nga jashtë vendit. Kjo bën të reduktohet numri i futbollistëve, që janë sot të grumbulluar për stërvitje dhe shumica e atyre që nuk do të jenë në vazhdim me Luftëtarin, të kenë mundësinë të aktivizohen në ekipe të tjera.
Interesim edhe për Sebino Plakun
Drejtuesit gjirokastritët mësohet se kanë filluar të interesohen edhe për sulmuesin e Skënderbeut, Sebino Plakun. Në fakt, ai është i angazhuar me korçarët në Kupat e Europës, por kohët e fundit ka pasur disa mosmarrëveshje dhe largimi duket shumë pranë. Gjirokastritët nuk kanë sulmues dhe Plaku do të ishte një lojtar shumë i mirë për të qenë titullari i Luftëtarit në këtë repart. Gjatë ditëve në vazhdim do të ketë më shumë informacion në lidhje me këtë pistë, por fakt është tashmë se drejtuesit e Luftëtarit e kanë në planet e tyre futbollistin kryeqytetas, që ka luajtur për shumë ekipe në vend dhe jashtë kufijve.