Vllaznia u mendua se mbylli gjithçka në administratën e klubit. Suad Lici u vendos administrator, ndërsa rolin e trajnerit e mori Hasan Lika, drejtor sportiv u emërua Engin Firat. Ekipi nisi punën me grupin e futbollistëve që kishte në dispozicion, të cunguar, dhe gjithçka u mendua se po futej në shinat e duhura.
Në fakt, informacionet e fundit që vijnë nga Shkodra nuk janë aq të mira. Trajneri Hasan Lika ka nisur punën me ekipin e tij, por drejtori sportiv ende nuk është parë në qytetin verior. Turku ende nuk ka zbarkuar në Shkodër dhe nuk dihet nëse do ta bëjë diçka të tillë.
Informacionet e fundit që vijnë nga Shkodra bëjnë me dije se mund të ketë ndryshime të tjera në klubin kuqeblu. Firat mund të mos vijë dhe në vend të tij pritet që të emërohet një tjetër emër për pozicionin e drejtorit sportiv.
Nga krahu tjetër, të njëjtat burime pranë klubit për “Sport Ekspres” bëjnë me dije se administratori i klubit Suad Lici po mendon dorëheqjen. Klubi kuqeblu ka një presion të madh dhe nuk i dihet se si do të shkojë filli. Vllaznia vazhdon në ujëra të turbullta.