Tërbuni synon tre titullarë nga Besëlidhja

Demi, Dibra e Hepaj priten në Pukë. Sot nis stërvitja në fushën e Shtojit

Ditën e sotme, në fushën e Shtojit, në Shkodër ku më parë është stërvitur skuadra e Vllaznisë dhe moshat e saj, Tërbuni do të nis përgatitjet për sezonin e ri, 2017-2018. Pukjanët, sot do të kenë në përbërje shumë nga titullarët e edicionit të shkuar, si: Beci, Prendi, Janot, Zagani, Mersini, Taku dhe Saliaj.

Por, gjatë javës siç edhe ka konfirmuar trajneri Krepi dhe drejtori teknik Kërnaja, në skuadër do të vijnë edhe disa lojtarë me eksperiencë, të cilët kanë luajtur në superiore dhe në kategorinë e parë, apo dhe të huaj si argjentinasi Fakundo. Për momentin, problem kryesor në radhët e Tërbunit është porta, pasi, ka mbetur vetëm “gardiani” 19-vjeçar Frenk Dikollari që ishte edhe në edicionin e shkuar pjesë e skuadrës. Sot, i bashkohet skuadrës edhe Senad lekaj, i cili pas dy sezoneve rikthehet në Pukë dhe me shumë gjasa do të jetë pjesë e ekipit në edicionin e ardhshëm.

Në stërvitje do të dal për herë të parë edhe sulmuesi i Burrelit sezonin e shkuar, Besar Mustafa nga Shkodra. Por, trajneri Krepi synon që të afrojë në skuadrën e tij edhe kualitete, ku bien në sy tre titullarë të skuadrës së Besëlidhjes. Elson Demi që luan portier, mbrojtësi Kledi Dibra si dhe mesfushori i qendrës Samet Hepaj. Në qoftë se pukjanët bëjnë të vetët të tre lojtarët e sipër përmendur, atëherë do të jenë me të vërtetë një nga ekipet më të forta dhe kandidate kryesore për t’u rikthyer në Superiore.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *