Besnik Hasi, në folenë e “kafshëve”!

0

Trajneri i Olimpiakosit driblon provokimin e radhës: “Pse kam thënë që Kosova është Shqipëri? Ka persona të tjerë që paguhen për të dhënë përgjigje për çështje të tilla. Unë flas për sport”

Nuk do të jetë një mbrëmje e qetë ajo e sotmja për Besnik Hasin. Edhe pse do të jetë debutimi zyrtar në stolin e Olimpiakosit, sfida paraqet rreziqe të mëdha, mes tyre ai… nacionalist. Sepse, në stadiumin “Hum” të Beogardit, aty ku në tetor të vitit 2014 u konusmua një nga faqet më të shëmtuara të futbollit (Serbi-Shqipëri), pritet të ketë dyndje tifozësh serbë, për të mbështetur Partizanin.

Por, jo vetëm për këtë. Shumica e tyre do të jenë pjesë e grupimit famëkeq “Grobari”, ku bën pjesë edhe Ivan Bogdanovi. Në anën tjetër, “Gate 7”, tifogrupi i Olimpiakosit, mund të mbështetet nga Delije e Crvena Zvezdës. Të bashkuar, sipas binjakëzimit, ndaj tifozëve të Partizan Beogradit. Por, në shënjestër mund të jetë edhe Hasi, pasi ai është shqiptar i Kosovës dhe deklaratat e fundit janë marrë si provokim. Ndërkohë, në konferencën për shtyp përpara medieve serbe, i pyetur pse gjatë prezantimit te Olimpiakosi tha “Kosova është Shqipëri”, ai dribloi kështu: “Ka persona të tjerë që paguhen për të dhënë përgjigje për çështje të tilla. Unë flas për sport. Eshtë ndeshje e vështirë, por mbërrijmë të përgatitur”.

Mburoja e klubit – “Këtë herë vendos unë dhe s’kam ndër mend që të dorëzohem përpara tifozëve”. E mbani mend këtë deklaratë të presidentit të Olimpiakosit, Marinakis, një ditë pas prezantimit të Besnik Hasit si trajner i skuadrës kampione të Greqisë?! Ndoshta jo, por fakti është se ai bëri “mburojë” përpara urrejtjes së tifozerisë, pjesës së zjarrtë, që kanë binjakëzim me “Delije”-t e Crvena Zvezdës…

Dhe, nëse mendoni se keni parë gjithçka, ende s’e keni bërë. Hasi pranoi 1,2 milionë eurot në sezon dhe të drejtojtë skuadrën më të madhe në Greqi, por mbylli sytë dhe veshët për pankartat e turpshme “Kosova është Serbi” dhe “Vrite shqiptarin”.

 

Krisja – Afrimi i Besnik Hasit në stolin e Olimpiakosit ka sjellë edhe një farë krisje ose përçarje mes tifozerisë së Olimpiakosit, asaj të zjarrtë, pra Gate 7, dhe drejtuesve të klubit, në këtë rast presidentit Marinakis, i cili megjithatë është i bindur në këtë zgjedhje. Dhe, në pritje të sfidës në Serbi ndaj Partizan Beogradit, ku do të jetë ambienti më i keq për Hasin, provokimet e para etnike dhe nacionaliste kanë nisur edhe nga stadiumi i Athinës, por edhe nga gazetarët helenë, pas miqësores me Asteras Tripolis…

Mesazhi – Olimpiakosi barazoi 1-1 në një miqësore ndaj Asteras Tripolisit në vazhdën e përgatitjeve për sezonin e ri dhe në konferencën për shtyp, Hasi u prezantua me krenari. “Jam nga Kosova e Shqipërisë”, tha Hasi, teksa e pyesnin në lidhje me pankardën e shfaqur në stadium “Kosova është Serbi”, ndërsa “UEFA është MAFIA” dukej më lart. Por trajneri shqiptar mori një reagim që ngjalli debate nga një gazetar në sallë, që ndezi jo pak opinionin në Greqi, por edhe atë në Serbi.

Provokimi  -“Zotëri jeni gabim, Kosova është e Serbisë”, iu përgjigj gazetari. Një provokim i hapur ky, që irritoi Hasin, i cili nuk e priti aspak mirë. Por, Hasi duhet ta dinte se Greqia nuk e ka njohur Pavarësinë e Kosovës, ashtu sikurse duhet të dinte se polemikat etnike në Ballkan janë më të ashpra dhe urrejtja është më e madhe se kudo në Europë.  Madje, në rast rezultatesh të dobëta, do të nisin protestat e shumta të tifozerisë.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.