Peçi humb penallti për skuadrën e Ahmatajt që me barazimin e djeshëm ndaj pukjanëve rrezikon shumë
Albi Lala
Është zhvilluar mjaft e fortë dje ndeshja Burreli-Tërbuni në “Liri Ballabani”. Pjesa e dytë ishte më interesante, me raste më të shumta shënimi, sidomos për vendasit. Humbja e një penalltie nga Peçi solli gëzim për pukjanët, ndërkohë, tifozët e shumtë burrelas mbetën mjaft të zhgënjyer nga ky barazim që matjanëve mund t’u kushtojë rënien nga kategoria. Nimani në të 8’ kundërzbret mjaft mirë, por ndalet nga mbrojtësit e vëmendshëm të Burrelit. Një minutë më vonë, mbrojtësi Ujkaj gjuan rreptë e Rexhepi e grushton mjaft mirë topin. Në të 16’, kapiteni Mëllugja gjuan me sa fuqi kishte nga 18-të metra dhe u duk se shënoi, por sfera kalon ngjitur me shtyllën e dytë të portierit mik. Sulmuesi Ajazi në 23’ godet fort por topin kthehet nga një mbrojtës i Tërbunit. Vendasit pretendojnë për penallti, por kryesori vijon normalisht ndeshjen. Ajazi në 39’ ishte fare pranë golit, por nuk e finalizoi si duhet aksionin e skuadrës së tij.
Pjesa e dytë – Ky fraksion sjell më shumë emocione, vonesa loje, situata të vështira para portës së Tërbunit, më shumë tension. Danaj në 47’ gjuan fort me kokë dhe stadiumi ngrihet në këmbë, me shpresë se topi po përfundonte në rrjetë. 63’ vendasit e Ahmatajt kanë rastet më të mira për shënim. Brenda pak sekondave sulmuesit e Burrelit gjuajë të paktën tri herë drejt portës mike, por topi herë ndalej nga balta e herë nga mbrojtësit e Tërbunit. Mëllugja në 72’ tenton dhe një herë të shënojë në portën e Rexhepit. 88’ është Ibrahimllari për Burrelin dhe pengohet keq në zonën e portës pukjane. Gjyqtari drejton dorën te pika e penalltisë. Lojtarët e Tërbunit rrethojnë kryesorin Stolaj duke kundërshtuar vendimin e tij. Por, ai nuk tërhiqet nga vendimi që kishte marrë. Trajneri porosit kapitenin Mëllugja ta ekzekutojë penalltinë, por Peçi pas një bisede të shkurtër me kapitenin e merr ai topin dhe e vendos te pika e bardhë. Me sa u kuptua, kërkoi të realizojë një gol të bukur, por topi i goditur lehtë nga ana e tij mbërrin në duart e portierit Rexhepi. Në ato momente, Peçi bëhet lojtari më i “urryer” i tifozëve dhe drejtuesve të Burrelit. Shaba u ndëshkua me karton të kuq sepse iu drejtua kryesorit me fyerje dhe kërcënime. Me këtë barazim matjanët rrezikojnë shumë, pasi javën e ardhshme e kanë pushim dhe dy javë të tjera luajnë në transfertë. Dy trajnerët e skuadrave nuk pranuan të prononcohen për mediat sportive.
BURRELI – TËRBUNI 0-0
Burreli: Selaci, Ujkaj, Ibrahimllari, Simonov (Osmanllari 69’), Beçka, Danaj, Levendi (Ivani 37’), Peçi, Mëllugja, Stana (Muça 84’), Ajazi. (Në dispozicion: Hila, Fejzaj, Përgjoni, Salaj). Trajner: J. Ahmataj.
Tërbuni: Rexhepi, Prendi, Rrustemaj, Beci, Balaj, Shytani, Pepa, Saliaj, Mezini (Hasaj 86’), Nimani (Shaba 75’), Gjini. (Në dispozicion: Mehidri, Zagani, Hoxha,Arkanjo, Neziri.) Trajner: K. Krepi.
Gjyqtarë: A. Stolaj, A. Shkreta, A. Zalla, R. Muska (Tiranë)
Kartonë të verdhë: Rexhepi 63’, Nimani 76’
Kartonë të kuq: Shaba 89’