Telushi: Kroacia nivel shumë i lartë. Besoj shumë te Flamurtari

Ish-kapiteni i vlonjatëve ka nisur një eksperiencë të re në Kroaci me Slaven Belupon. Mesfushori tregon edhe ndryshimet mes dy kampionateve

Elton Nika

Bruno Telushi është titullar fiks te Slaven Belupo dhe në dy ndeshjet e para në kampionatin kroat ka marrë vlerësime maksimale për paraqitjen e tij. Ish-kapiteni i kuqezinjve, i larguar pas gati shtatë vitesh nga Vlora, flet për eksperiencën e tij të re, duke pranuar se Flamurtari mbetet në zemrën e tij. Mesfushori beson se ka bërë një zgjedhje në kohën e duhur, duke vendosur të luajë në një kampionat jashtë kufijve të vendit dhe oferta e Slaven Belupos ishte e duhura. Mesfushori flet dhe për skuadrën e tij të re, kampionatin kroat dhe ndryshimet që ka hasur.

-Dy ndeshje si titullar te Slaven Belupo, a është ky një tregues besimi për ju?

Fillimisht faleminderit gazetës suaj për interesimin. Sa i përket dy ndeshjeve të para, jam i kënaqur për besimin që kanë treguar ndaj meje dhe padyshim që këtë dua t’ua shpërblej vetëm në fushën e lojës. Fatkeqësisht nuk e kemi nisur me fitore, por kemi rikuperuar gjithçka në javën e dytë dhe duhet të vijojmë në këtë rrugë. Mendoj se edhe paraqitjet kanë qenë të mira, duke parë edhe vlerësimet që kam marrë personalisht .

-Pse zgjodhët pikërisht Slaven Belupon për të vijuar karrierën tuaj?

Kishte ardhur momenti që të luaja pas gati shtatë vitesh në një tjetër kampionat. Zgjodha Kroacinë edhe falë interesimit të vijueshëm që Slaven Belupo tregoi ndaj meje, një interesim që kish nisur disa kohë më parë dhe pastaj siç e dini u konkretizua me firmosjen e kontratës. Për dy vite do të jem pjesë e kësaj skuadre në kampionatin kroat dhe mendoj se ishte zgjedhja e duhur.

-A po ia dilni të ambientoheni shpejt, pasi normalisht duhet njëfarë kohe që të ndodhë kjo?

Jam ndjerë i vlerësuar dhe kjo është thelbësore kur mbërrin te një skuadër e re. Ambientimi ka qenë i shpejtë dhe në skuadër më kanë pritur mjaft mirë që në momentin e parë kur kam mbërritur. Kjo më ka ndihmuar dhe tashmë mendoj vetëm për fushën bashkë me skuadrën.

-Cilat janë synimet që ka këtë vit skuadra juaj?

Këtë vit synojmë që të radhitemi mes katër ekipeve të para. Ky është objektivi i këtij sezoni dhe duke parë grupin e lojtarëve mendoj se është një objektiv që mund të arrihet. Natyrisht që duhet shumë punë, pasi ka shumë konkurrencë dhe çdo ndeshje ka vështirësitë e veta. Gjithsesi, unë mendoj se i kemi mundësitë për të arritur diçka të rëndësishme, pse jo ndoshta diçka më shumë se kaq.

-Çfarë ndryshimi ka mes kampionatit shqiptar dhe atij kroat?

Ka disa ndryshime. Kampionati kroat ka më shumë rivalitet, është më i fortë, më lart në cilësi, ndërkohë dhe stërvitja bëhet në kushte mjaft  cilësore. Mendoj se këto janë ndryshimet. Rivaliteti për të arritur objektivat, që nga titulli e deri tek Europa apo qëndrimi në elitë, përfshin disa skuadra.

-Një sy e keni edhe në Vlorë. A i keni ndjekur zhvillimet e fundit te Flamurtari?

Padyshim, Flamurtari është në zemrën time. I falënderoj të gjithë për mbështetjen që më kanë dhënë gjatë kësaj kohe. Shpresoj dhe besoj shumë te një sezon sa më cilësor për Flamurtarin. Ajo skuadër, ata tifozë, ai qytet e meriton.

Së fundmi, a do shohim gola të tillë si ai në stërvitje edhe në kampionat?

Po, pse jo. Pas stërvitjes, edhe në ndeshje zyrtare e besoj shumë se do shënoj gola të tillë. Pastaj edhe te Flamurtari i kam shënuar disa. Përtej shakasë, shpresoj të vijë shpejt goli edhe në kampionat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *