Roma është rikthyer te rezultatet pozitive, por një tjetër dëmtim ka prekur ekipin e Di Françeskos. Pas serbit Kolarov, është dëmtuar dhe kapiteni Daniele De Rosi. Mesfushori pësoi një dëmtim në ndeshjen kundër Empolit. Përplasje me një nga lojtarët kundërshtarë, diçka normale për “luftëtarin” e Romës, dhe mbështetje e keqe e këmbës në tokë, që ka sjellë dëmtimin e një prej gishtave të këmbës.
Lojtari e vazhdoi të luajë, pavarësisht dhimbjeve, por tashmë do i duhet të qëndrojë pushim. 35-vjeçari ka kryer kontrollet e nevojshme, që kanë konfirmuar frakturën e gishtit të këmbës. Kapiteni i Romës ka kryer një gjest të bukur duke takuar dhe ofruar mbështetjen e të gjithëve lojtarit të ekipit të të rinjve Rikardo Kalafiori. Ky i fundit ka pësuar një dëmtim të rëndë në gju dhe do të operohet në Amerikë.
De Rosi do të shfrytëzojë periudhën e pushimit, si pasoje e ndeshjeve të kombëtareve, ndërsa objektivi i tij është të rikthehet për ndeshjen kundër CSKA Moskës në Champions, sfidë që zhvillohet me datë 23 tetor.