Sulmuesi brazilian jep versionin e tij të ngjarjeve, pas “tymnajës” së ditëve të fundit: Nuk paguhemi prej 5 muajsh, tani merret avokati im me këtë çështje
Vladimir Prenga
Danilo ikën, Danilo nuk ikën, histori pagash e përgënjeshtrime. Tani fjalën e merr vetë sulmuesi, i cili ka pranuar të flasë për “Sport Ekspres”, duke sqaruar gjithçka po ndodh mes tij dhe Flamurtarit. Për brazilianin, tashmë gjithçka ka marrë fund dhe nuk ka kthim pas, sepse situata e tij dhe e gjithë skuadrës është bërë e papërballueshme. “Nuk kam menaxher, kam vetëm avokat. Ai po merret me këtë histori, sepse nuk paguhem prej 5 muajsh”, thotë Danilo Alvesh…
Përshëndetje Danilo, ditët e fundit ka pasur zëra se dëshiron të prishësh kontratën, për shkak se nuk paguhesh prej muajsh te Flamurtari, ndërsa dje menaxheri yt Gabriele La Manna deklaroi se gjithçka ishte në rregull. CCfarw mund tw na thoni?
Përshëndetje. Së pari, Gabriele La Manna nuk është më menaxheri im, prej kohësh. Gjithçka ka thënë ai është një gënjeshtër, as nuk kam më kontakte me të. Ai përfiton nga situata dhe përmend emrin tim.
Kush është menaxheri juaj?
Nuk kam fare menaxher. Përfaqësohem vetëm nga një avokat, në Brazil. Nuk do të firmos kurrë me një person si La Manna, i cili ka thënë shumë gënjeshtra në të kaluarën.
Po raporti juaj me Flamurtarin, si është? Është e vërtetë që keni disa muaj pa u paguar?
Po, janë 5 muaj, saktësisht. Nëse nuk më besoni, telefononi edhe lojtarët e tjerë dhe mund t’i pyesni a janë në rregull, a janë të lumtur. Si ata, edhe unë, jemi në të njëjtën situatë, nuk paguhemi prej 5 muajsh.
Ç’do të bëni, në këtë situatë?
Fakti që nuk paguhem prej 5 muajsh më jep të drejtën të largohem nga Flamurtari. Nuk ka rëndësi ku do të shkoj, ata nuk janë treguar korrektë në aspektin financiar, ndaj tashmë ka marrë fund gjithçka.
Çfarë ju është thënë nga klubi dhe presidenti Sinan Idrizi, sepse ai pretendon që nuk ka asnjë problem pagash…
Pak rëndësi ka, nuk mund të flas për këto gjëra tani. Gjithçka e ka në dorë avokati im, ia kam lënë atij në dorë. Nuk është e nevojshme të flas shumë, dua vetëm qetësi dhe nuk kam qejf të flas pa fund. Mund të them vetëm që unë dhe gjithë lojtarët e Flamurtarit nuk jemi paguar prej 5 muajsh. Kemi kontaktuar me FIFA-n dhe më kanë dhënë të drejtë, njësoj si Lukas Kanixhia.