Skënderbeu edhe këtë edicion do të kërkojë titullin, ndonëse nuk është më ai ekipi i viteve të shkuara, që kishte diferenca në cilësi me ekipet e tjera. Në verë u larguan shumë futbollistë, të cilët u zëvendësuan nga lojtarë me perspektivë, që kishin qenë pjesë e korçarëve, por ishin huazuar në skuadrat e tjera.
Deri më tani gjërat mund të thuhet se kanë shkuar mirë, pasi kreu është vetëm 2 pikë larg. Në Korçë po shënojnë të gjithë dhe ky mund të jetë një lajm i mirë, pasi e rëndësishme është që të gjendet rruga e rrjetës, pak rëndi ka kush shënon. Gjithsesi, juglindorët po presin që një prej sulmuesve të marrë skuadrën përdore, pasi dihet rëndësia që ka një bomber, i cili në ndeshjet e caktuara të zgjidh ndeshjen.
Bardhebuqtë nuk kanë pasur probleme në sulm, pasi gjithnjë kanë pasur një pikë referimi, kujtojmë këtu Pero Pejiç, Hamdi Salihi dhe së fundmi Oto Xhon. Këtë edicion ka sërish lojtarë me potencial në repartin e avancuar, ku mund të veçohet Devi Bregu, Oto Xhon dhe Blerim Krasniqi, por ende nuk ka spikatur ndonjëri si “bomber”. Në Korçë presin shpërthimin e njërit prej tyre, por se kush do ta marrë postin e liderit mbete për t’u parë.