Te Skënderbeu janë mirë dhe kur janë keq

Gjergj Stefa

Pezullim njëvjeçar në Kupat e Europës, disfatë në Superkupë, vendi i tretë në kampionat dhe finale kupe e humbur. Shtoji kësaj dhe një dënim më shumë në “tryezë” se sa në “fushë” nga Federata Shqiptare e Futbollit dhe një bezdi jo e vogël me disa thirrje rrufe në Prokurori. A do mjaftonin gjithë këto arsye, që Skënderbeu të kalonte momentin më të keq të një cikli që asnjëherë më parë në këto 7 vite nuk e kishte parë kaq pak fitues, si në tapetin e blertë, ashtu dhe në skrivanitë e institucioneve? Ndonjëri foli edhe për fundin e një cikli. Sidomos mënyra se si gjyqtarët u sollën në sezonin paraardhës ishin një tregues që “stop, ju nuk mund të jeni më superfuqia e këtij futbolli”. Ndoshta kishte ardhur koha për ndryshim…

Ende jo, ende jo, sepse mesa duket, e ashtuquajtura krizë e Skënderbeut, nuk i kishte rrënjët e thella, por ishte një kombinim rrethanash. Forca e klubit qëndroi në faktin që askush nuk lëshoi asnjë pikë lot për humbjen e titullit kampion. Ai titull konvertohej në rreth 500 mijë euro dhe për një klub, ku bilanci dhe fair-play i brendshëm financiar është shumë i rëndësishëm, nuk duhet humbur kohë për ta dërguar situatën në “zero më zero”. Dhe ja ku vjen korriku i ëndrrave. Më shumë se 650 mijë euro deri tani nga UEFA dhe dy opsione reale për shitje për Latifin dhe Nimagën. Sa hap e mbyll “gropa financiare” jo vetëm që u mbush, por nëse kalohet edhe Mlada, me siguri do flasim për një sezon me bilanc pozitiv. Mos të harrojmë që po flasim për një klub, që ka luksin të paguajë 100 mijë euro një mbrojtës. Askush tjetër në Shqipëri nuk e bën. Një shembull sa për të kujtuar se sa vështirë e kanë ata për të balancuar shpenzimet e mëdha.

Sigurisht që asgjë nuk është një rastësi dhe sidomos përvoja ndikon ndjeshëm në përballimin e situatave. Përpara ndeshjes me Kairatin të gjithë ishin duke numëruar milionat e eurove (rreth 30), që gjendeshin në buxhetin e kazakëve, dhe e konsideruan kundërshtarin aq të frikshëm, sa harruan se në Europë Kairati ishte më i vogël se Skënderbeu. Po, po, më i vogël, sepse nëse heqim paralele mes dy cikleve (edhe Kairati ka rreth 6-7 vite protagonist në Europë) Skënderbeu ka luajtur në play-off të Europa Ligës, në play-off të Champions League, e madje ka shkuar gjer në grupe. Kairati këtë nuk e ka bërë. Kush është më i vogël?

Të gjithë rivalët që shpresonin se viti i vështirë i Skënderbeut do t’i kishte bërë që t’i linin nervat, gabuan dhe u zhgënjyen. U kthyen më të fortë se më parë. Janë mirë dhe kur janë keq.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *