Të pathënat e Elis Bakajt, si u zbulua dhe prapaskena me Dortmundin

Elis Bakaj është një nga ata futbollistë që flet. Nuk ka komplekse dhe është i drejtpërdrejtë. Shpesh kjo edhe mund ta ketë dëmtuar. Prej janarit të shkuar la Shqipërinë dhe ju bashku Shaktar Soligorksit dhe po tenton të fitojë titullin kampion atje. Së fundmi ai ka dhënë një intervistë dhe flet gjerë e gjatë. Ai bën edhe një krahasim mes kampionateve dhe mendon se në Bjellorusi gara është më e fortë se në Superiore.

KRAHASIMI I KAMPIONATEVE – “Mendoj se kampionati këtu është më i fortë. Në Shqipëri luhet futboll më teknik, si në gjithë gadishullin e Ballkanit. Këtu luhet një futboll më fizik. Në futbollin shqiptar ndryshuan shumë gjera që kur kombëtarja u kualifikua në Euro 2016. Tani kemi ekipe të mira, mjaftueshëm lojtarë të rinj që po ikin në liga më të mira, si Itali, Belgjikë dhe Holandë. Dhjetë vite më parë nuk ndodhte kjo. Tani çdo vit 3-4 lojtarë transferohen në Perëndim. Vit pas viti futbolli shqiptar bëhet më i mirë. Gjithçka lidhet me lojën po merr zhvillim. Për shembull, tani të gjitha ndeshjet e Superiores transmetohen në TV”, u tregon bjellorusëve Bakaj përmes intervistës së dhënë për “Tribuna”.

ANA FINANCIARE – Pagat janë një tjetër temë diskutimi: “Lojtarët e mirë janë në gjendje të marrin deri në 10 mijë euro. Kushte të mira të ofrojnë Skënderbeu, Partizani dhe Kukësi. Në klubet që kanë synime të larta, gjithmonë paguhesh në kohë. Në klubet e tjera mund të ketë vonesa. Ky problem nuk është vetëm në Shqipëri, në shtete të tjera të Ballkanit ekziston një problem i tillë, edhe në Rumani e Serbi”.

JETESA NË SHQIPËRI –  A jetohet mirë në vendin tonë nëse je futbollist? Bakaj nuk ka dyshime: “Në Shqipëri, si në gjithë botën, investohen para në futboll. Në sportet e tjera më pak. Duke luajtur futboll në Shqipëri nuk do të merrni shumë para, por do merrni mjaftueshëm për të jetuar mirë. Ka një diferencë të madhe në paga mes futbollistëve dhe njerëzve që bëjnë punë të tjera. Kështu që shumë prindër duan që fëmijët e tyre të luajnë futboll. Paga mesatare atje për momentin është 400-500 euro në muaj”.

PARTIZANI – Bakaj për pesë vite ka qenë pjesë e moshave të Partizanit. Ai tregon edhe se si kaloi në ekipin e parë, teksa gazetari e pyet se si ka mundësi që i është ofruar një kontratë që në moshën 15-vjeçare. “Xhani më pëlqente shumë. Më lini t’ju shpjegoj se çfarë ndodhi. Ekipi i parë përballej shpesh me më të mirët e akademisë. Sigurisht Partizani fitonte me ne 10-1, 10-2 dhe nëse ne shënonim, atëherë isha unë autori i golit. Njëherë, para se të niste sezoni, Partizani luante një miqësore me Apoloninë. Edhe ata luanin në Superiore. Presidenti kërkoi që disa nga djemtë e akademisë të merreshin për atë ndeshje. U morëm direkt nga stërvitja. Më kujtohet kur u futa në fushë, pasova djathtas, më pas erdhi një kros dhe unë shënova.

Isha shumë i ri atëherë. E imagjinoni se çfarë do të ndodhë nëse një 15-vjeçar dërgohet për t’u stërvitur me ekipin e parë? Natyrisht për të nuk do të jetë e lehtë. Pas stërvitjes së vështirë nuk haja, shkoja direkt në shtrat. Gjatë kësaj kohe jam stërvitur njëlloj sikurse pjesa tjetër e ekipit. Isha një i çmendur dhe doja t’i tregoj trajnerit se unë vlej diçka. Gjashtë muaj më pas nisa të luaj me ekipin e parë. Debutova me Partizanin në kupën Intertoto kundër Makabi Netanja (2003) dhe u bëra futbollisti më i ri shqiptar që luante në kupat e Europës”, tregon mesfushori i avancuar.

VLLAZNIA E KUKËSI – Pasi u largua nga RNK Split, kur Bakaj pati probleme me pagesat, gjeti marrëveshjen për të kaluar te Tirana. Bardheblutë u dënuan nga FIFA dhe në ditën që do të prezantohej u bë publik edhe bllokimi i merkatos. I gjendur në këto kushte, ai pranoi ofertën e Vllaznisë. Në fakt ishte një dhuratë nga Lutfi Nuri për klubin shkodran. Gjithashtu ai flet edhe për klauzolën e golave te Kukësi.

“Nuk kisha shumë mundësi të mira, transferimi te Tirana dështoi. Zëvendëspresidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit më ofroi të luaja për Vllazninë për disa muaj. Një ekip i mirë, por ata nuk kishin para dhe më paguante ai nga xhepi. Në Verë pata ofertë nga Malajzia, 20 mijë euro në muaj. Më besoni, nuk janë shuam para për Malajzinë. Kështu që refuzova. Më pas firmosa me Kukësin dhe kisha një bonus interesant: për çdo gol që do të shënoja do të merrja shpërblim 2 mijë euro. Shënova shumë gola (12) dhe presidenti duhet të paguante për çdo gol.

Bakaj kur ishte në provë te Hanoveri

PRAPASKENAT E MERKATOS – Bakaj ka pasur mundësinë të dalë jashtë vendit që herët: “Në vitin 2006 kisha mundësinë të shkoja në Greqi. Luanim në Kupën Intertoto kundër qipriotëve të Etnikos dhe shënova në ndeshjen në transfertë. Pas kësaj m’u ofrua një kontratë 5-vjeçare nga grekët e Pas Janinës, që ishin në ligën e dytë. Presidenti Xhani më tha të shkoja. Kishte marrëdhënie shoqërore me pronarin e klubit grek. Shkova atje, por vetëm u stërvita. Nuk luajta kurrë për ta. Hanoveri? Shkova atje në vitin 2010 dhe më panë për një javë, pasi u stërvita me ekipin. Në fund, trajneri Mirko Slomka tha: “Më pëlqen Bakaj, duhet të qëndrojë”. Drejtori sportiv ishte kundër. Nuk gjeti gjuhën e përbashkët me menaxherin tim”.

“Në vitin 2009 Dinamo më bleu nga Partizani për 100 mijë euro. Ishte transferimi i parë brenda kampionatit shqiptar. Luajta shumë ndeshje me Dinamon, isha pjesë e kombëtares dhe një vit më vonë kam pasur shansin për të nënshkruar një kontratë me Borusian e Dortmundit. Por presidenti im, një njeri i çmendur, donte që Dortmundi të paguante 3 milionë euro. Kjo është një histori e vërtetë. Nga Gjermania erdhën njerëz për të më parë dhe për të regjistruar një video për Klop.

Në mediat gjermane dolën lajme që raportonin se Klop nuk ishte kundër blerjes sime, por presidenti i Dinamos nisi të fliste për 2-3 milionë euro… E kuptoj shumë mirë që nuk do luaja në formacion në Dortmund, do isha rezervë, por gjermanët dëshironin vërtet të më blinin dhe nëse do kisha shkuar në Bundesligë, karriera ime do kishte qenë ndryshe”, rrëfen Bakaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

where can i buy doxycycline over the counter buy doxycycline online