“Të merrte lojtarët e Kukësit, në 4 ndeshja e mundën 3 herë”, Dabulla kritikon merkaton e Tiranës: Afruan me shumicë, por pa cilësi

Tirana është në prag të sfidës vendimtare kundër Jang Bojs, ku luan shansin për të përmbushur ëndrrën e grupeve në Europa League. Megjithatë kjo ide nuk e ngroh një ish-futbollist të saj, Rezart Dabulla. I ftuar në një intervistë me gazetaren Klevisa Alinani në emisionin “Fax Sport”, ish-lojtari thekson cilësitë e kundërshtarit dhe mungesën e ndeshjeve për bardheblutë.

Ndërkohë një temë që Dabulla e prek gjatë është ajo e merkatos së kryeqytetasve, të cilën e sheh si të gabuar. Afrimet e reja nuk e bindin dhe nënvizon se kampionët në fuqi duhet të përforcoheshin me lojtarë të kampionatit shqiptar, në veçanti ata të Kukësit, të cilët mbartin me vete cilësi dhe ishin të lirë këtë merkato.

“Shkalla e vështirësisë është goxha e lartë. Ekipi kundërshtar ka skuadër shumë të mirë, të konsoliduar, me një shkallë cilësie më të lartë. Por në takime si këto me tek ndeshje fati mund t’i buzëqeshi edhe Tiranës. Vështirësia e kundërshtarit e penalizon Tiranën, cilësia e lojtarëve kundërshtar e penalizon, mos luajtja e kampionatit e penalizon. Unë jam edhe me idenë se Tirana ka ofruar disa lojtarë në merkato, por për mendimin tim nuk janë ata të duhurit. Duhet të kishte marrë lojtarë të tjerë. Duhet të kishte marrë lojtarët që e konkuruan deri në fund, ata të Kukësit.

Një pjesë e madhe e tyre janë larguar nga Kukësi. Tirana ka pasur mundësi dhe duhet t’i kishte ofruar një kontratë. Mbase me disa emra që te Kukësi kanë shkëlqyer vjet, në 4 ndeshje që kanë pasur me Tiranën 3 i kanë fituar me lojë shumë të mirë, duke e vënë në vështirësi të madhe. Por për fat të keq asnjë prej tyre nuk i është ofruar mundësia për të luajtur me Tiranën.

Mungesa e Ngosë? Sigurisht, i mungon një pykë kryesore. Në atë po luan Muci, por ai nuk është një pykë kryesore, vjen nga vija e dytë. Kur ka ardhur në lojë ka luajtur në ato pozicione dhe ka arritur të shënojë gola vendimtar. Kur ka luajtur pykë e parë ka pasur shumë vështirësi të shprehi talentin e tij.

Për fat të keq Tirana ka afruar lojtarë me shumicë, por jam skeptik te cilësia e tyre. Do shpresoja shumë të isha i gabuar, por shoh që duhet të kishin marrë disa emra të kampionatit shqiptar. Është ekipi që doli kampion dhe nga kalimi i tureve ka marrë goxha buxhet. Duhet të merrte lojtarët më të mirë të kampionatit dhe ata ishin të lirë. Tirana i ka pasur mundësitë. Nuk është nevoja të marrësh 7 veta por të marrësh 3 dhe të dalin goxha të mirë. Bregu ka qenë lojtar i lirë, Shkurtaj ka qenë i lirë dhe ndonjë mesfushor tjetër nga Kukësi. Kanë luajtur vjet dhe kanë bërë një kampionat shumë të mirë. I kanë dhënë provat në kampionatin shqiptar që kanë cilësi dhe Tiranës i duhej të forcohej në cilësi“, ka thënë Dabulla./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *