Te Luftëtari e dinë mirë, nuk falet më asnjë gabim

Trajneri Hasan Lika kërkon që në lojën e skuadrës të dalë më shumë në pah roli i organizatorit, që e bën Aleksi, por edhe Ramadani

Gëzim Beqiri

Është e qartë nga të gjithë se Luftëtarit i duhet vetëm fitorja ndaj Lushnjës, takim që luhet në Gjirokastër ditën e shtunë. Mbas katër humbjeve në javët e fundit, ndaj Kamzës, Partizanit, Kukësit dhe Skënderbeut, Luftëtari ka zbritur në vend të fundit në klasifikim, me 5 pikë, po aq sa ka edhe Lushnja. I duhet trepikëshi jo vetëm ndaj Lushnjës, por edhe ndaj Teutës dhe Laçit, ndeshje që do t’i luajë në fushën e vet, për të menduar pastaj për transfertën me Vllazninë. Radhën e ka Lushnja, me të cilën nuk duhen lënë pikë dhe për këtë qëllim ekipi po bën një stërvitje intensive. Dje ajo është zhvilluar në mesditë, me një përkushtim maksimal nga të gjithë futbollistët. Ardhja e trajnerit Hasan Lika është masa e marrë nga drejtuesit e Luftëtarit për të ndryshuar gjendjen. Trajneri i ri kërkon përqendrim në lojë përgjatë 90 minutave. Tri ndeshje pa shënuar dhe vetëm 3 gola për gjirokastritët në 8 javë janë tregues mjaft negativë dhe duket se është momenti më i keq për këtë skuadër.
Me të njëjtët futbollistë Luftëtari renditej në vend të katërt sezonin e fundit dhe në asnjë moment nuk u rrezikua për rënien nga Superliga. Pra, diçka nuk shkon në këtë skuadër, ku ndoshta ka ndikuar puna e stafit të mëparshëm teknik.
NDRYSHIMI – Trajneri Lika e ka shprehur hapur besimin se Luftëtari do ta kalojë këtë krizë dhe shenjat e para janë dhënë se ky ekip do të kthehet në identitet. Për këtë janë rritur kërkesat në stërvitje dhe vet futbollistët janë ndërgjegjësuar se duhet ndryshuar shumë në lojë. Stërvitja e djeshme, si në ditët e mëparshme, është kryer nga përgatitësi atletik Kosta Koltsidas, i cili ka mbetur i vetëm me Likën në stafin teknik. Pas 30 minutave të para nën drejtimin e tij, drejtimin e ka marrë Lika, i cili, përveçse ka kërkuar nga grupi përvetësimin e ushtrimeve taktike, ka improvizuar një lojë, duke i ndarë futbollistët në dy grupe. Nga sa u pa, ndaj Lushnjës do të këtë shumë ndryshime në formacion, pasi kthimi i Aleksit në mesfushë dhe Toledos në mbrojtje i krijon mundësinë të bëjë zgjedhjen e duhur trajnerit, duke pasur edhe stol të mjaftueshëm për të bërë ndryshime gjatë lojës.
ORGANIZATORI – Dje është kërkuar marrja e më shumë përgjegjësive nga ana e futbollistit organizator. Aleksi dhe në një pjesë loje edhe Ramadani janë parë të kryejnë këtë detyrë, duke u vendosur në qendër të mesfushës dhe që bënin shpërndarjen e topit drejt repartit të sulmit, të përbërë nga Bregu, Abazaj dhe Lamçe.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *