Bajerni i Mynihut është ëndrra e çdo futbollisti gjerman dhe nëse klubi bavarez futet në garë, zor se i del ndonjë klub para, përtej ofertës financiare.
Emri i fundit që ka vendosur të zgjedhë Bajernin, sipas lajmeve që vijnë nga Gjermania, është Leon Gorecka.
Mesfushori 22-vjeçar i Shalkes, i cili u transferua në Gelsenkirhsne në vitin 2013 për 3.3 milionë euro nga Bohumi, tashmë ka vendosur të mos rinovojë me Shalken, ku është një lojtar kyç. Kontrata e tij përfundon në qershor dhe Gorecka ka zgjedhur të shkojë falas te Bajerni, ku shpreson të vazhdojë procesin e rritjes dhe të bëhet një lider edhe te kombëtarja gjermane, ku që tani është një lojtar goxha i rëndësishëm.
Goreckën e kërkonin shumë klube, nga Anglia deri në Itali, por Bajerni është futur fuqishëm në lojë pas Kupës së Konfederatave këtë verë, ku Gorecka shkëlqeu.