Të fundit në Europë, çudia me fillimin e Superiores

0

Nga 11 kampionate (ku vetëm në tre ende s’është përcaktuar data e startit të sezonit 2017-18), preferojmë të pushojmë, duke u lutur më pas te një dimër “zemërgjerë”

Superliga do të  nisë në datën 9 shtator pasi kështu kërkuan shtatë nga dhjetë klube të kompeticionit, teksa presidenti i FSHF-së, Armand Duka, pranoi se nuk ishte i kënaqur nga kjo shtyrje, duke qenë se duhej të përgatitej edhe kombëtarja. Megjithatë, Xhani de Biazi, dikur, ishte dakord për këtë shtyrje. Natyrisht, duke hedhur një sy nëpër Europë dhe sidomos Ballkan, pra rajon, kuptojmë qartë se ku qëndron çudia ose nonsensi. Në fakt, nga gjithë kampionatet e Ballkanit (por nuk përjashtohet edhe gjithë Europa, duke përjashtuar kampionatet skandinave apo balltike, që nisin në pranverë), vetëm Shqipëria do ta nisë në shtator.

Enigma dimër – Duke bërë krahasimin, jemi aty-aty vetëm me Superligën greke të vjetshme, por në fakt problemet shtet-federatë dhe grevat e shumta ndikuan  në shtyrjen e fillimit të sezonit, ndërsa sivjet nuk pritet të ketë të tilla ndikime apo faktorë të jashtëm. E nëse dimri i vitit të ardhshëm do të jetë “zemërgjerë”, mund të themi se ia dolëm, ndryshe rrezikojmë që të pësojmë një zvarritje të kampionatit. Edhe pa shtyrje, ne historikisht janarin e bëjmë pushim dhe nga shkurti shohim si është koha. Problemi quhet terren sportiv. Aty ku shirat e janarit dhe shkurtit sjellin baltë dhe pamundësi për të luajtur. Duhet të kthejmë sytë nga qielli, për diçka që kishim në dorë vetë. Fundja, Sllovenia, Bullgaria, Bosnje Hercegovina, Kroacia, apo Serbia ndoshta janë në “binarët” e gabuar, duke qenë se do të nisin gjithçka tani në korrik.

Nuk kemi një model – Shpesh themi, me keqardhje: Ku e arrijmë dot ne nivelin e Kroacisë në futboll! E vërtetë, nuk e arrijmë dot, për 100 arsye, por të paktën mund të kopjojmë në disa drejtime. Nuk po i futemi temës së investimeve në terrene sportive, në trajnerë dhe te të rinjtë, këto janë tema tabu për futbollin shqiptar, por të paktën kalendarin mund ta kopjonim, pak a shumë. Kroacia ka kampionat me 10 skuadra dhe 36 javë, si ne. Temperaturat janë thuajse identike, ndaj lind pyetja: pse ata nisin në mesin e korrikut dhe ne 2 muaj më pas? E thjeshtë: Në Kroaci punohet, këtu te ne bëhet plazh dhe ndërtohen skuadrat në gusht!

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.