Drejtori sportiv i Lacios, Igli Tare ka udhëtuar drejt Venecias, ku skuadra po kryen përgatitjet për edicionin e ri. Shqiptari është në kërkim të një pasuesi për brazilianin Felipe Anderson dhe po sheh me shumë kujdes alternativat që i janë ofruar.
Siç raporton Xhanluka Di Marcios, një ndër emrat më të lakuar është lojtari i Klub Bryzh, Uesli, vetëm 21 vjeç dhe në edicionin e shkuar ka arritur të realizojë 11 gola në Belgjikë. Mund të jetë një investim i mirë për skuadrën nga Roma, që do të kishte në gjirin e saj një element premtues për të ardhmen.
Tare nuk ka preferuar që të komentojë për mediat merkaton e skuadrës së tij, duke theksuar se ka ende punë për të bërë, para se të zyrtarizohet ndonjë afrim. Siç mësohet drejtori sportiv do të takohet me trajnerin Inzagi për të diskutuar mbi gjendjen e skuadrës dhe do të ndjekë nga afër afrimet e fundit.