Tare shfryn ndaj Superligës dhe provokon Romën: Alison? Strakosha vlen 1 mln euro më shumë!

0

Igli Tare, drejtori sportiv i Lacios, ka folur në një intervistë të gjatë me të ftuarit për “Zona Gol”. Një rrëfim “lumë” i shqiptarit, që ka prekur disa tema të rëndësishme, si roli si drejtues… 

 Si ndiheni pas humbjes së parë?

“Nuk jam i lumtur që e nisëm me humbje. Ndeshje me shumë probleme, sepse mungonin tre lojtarë të skualifikuar, dy nga të cilët janë të rëndësishëm, si Leiva. Plus, dëmtime si Lukaku, Berisha, që janë ende larg fushës. Por, edhe tre të kthyer nga Botërori, si Saviç, Badelj dhe Kaseres. Kanë vetëm tre ditë stërvitje.

“Rëndësi ka që skuadra është aty dhe kjo humbje do të jetë eksperiencë për t’u mos përsëritur, pasi kemi bërë gabimet e vjetshme, pra ndeshje të dominuara dhe black out të pakuptueshëm. Duhet të jemi të kujdesshëm, sepse skuadra ka cilësi. Duhet të jemi optimistë”.

Ka kaluar mërzia e sezonit të shkuar që nuk kapët Champions?

“Djeg akoma, sepse futbolli i ka këto gjëra, të humbasësh një ndeshje kundër një ekipi që nuk goditi asnjëherë portën, por me penallti dhe dy goditje dënimi mori fitore të papritshme. Patëm sezon të mirë dhe meritonim Champions. Këto janë eksperienca që të japin një ide se çfarë nuk duhet të bësh këtë sezon. E mbyllëm me humbje dhe e nisëm me humbje. Shpresojmë që ta mbyllim me fitore dhe me arritjen e objektivit”.

Futbollist apo drejtues?

“Do të preferoja të bëja futbollistin, sepse është jeta më e bukur që mund të ëndërrojë çdo kusht. Ja ndjen nevojën kur kalon në një tjetër spektër, në një botë ndryshe. Duke pasur një vision tjetër. Fati i keq ose i mirë për mua ishte dalja e papritur nga fusha si lojtar. Por, fati i mirë ishte që zgjidhja që bëra më solli këtu.

Besim dhe dëshirë, këto më shtynë. Presidenti Lotito është mjeshtër në mënyrë menaxhimi, por edhe për tratativat është i saktë. Ishin të dobishme këto gjëra për rrugën time. Diçka që jep shumë dhe merr shumë. Kam marrë eksperiencë që është jashtë mase e vlefshme. Jam kurioz që çdo vit të mësoj diçka të re. Çdo ditë ka gjëra të reja për të mësuar dhe bëhesh kurioz”.

Ku bazohesh kur zgjedh elementë që shumica afirmohen më pas?

Kam disa parametra që janë të rëndësishëm, për nivelet e larta. Lojtarë që të kenë mundësi të intepretojnë jo vetëm një rol, por edhe karakteristika të tjerë. Ka të bëjë me inteligjencën e tyre si taktikisht, ashtu edhe teknikisht, në intepretimin e lojës. Sa i përket skuadrës, kam pasur gjithmonë dëshirën time që skuadra jonë të ketë një lloj filozofie entuziazmuese dhe fituese… Nuk është e lehtë, sepse mënyra e intepretimit, shënojmë dhe pësojmë shumë. Kjo sepse është sistemi i famshëm 3-5-2, në Itali intepretohet ndryshe. Lacio, e vetmja në Itali që luan me 3 mbrojtës dhe anësorët ofensivë.

Sa e vështirë të mbash yjet?

“Problemi ynë është që kemi një situatë (jo vetëm ne, por futbolli Italian dhe më tej) që për të arritur nivelin e duhur, duhet kaluar nga shitjet e domosdoshme, për t’u përmirësuar dhe për të shtuar rrogat, duke investuar edhe te të rinjtë. Jemi munduar ta shmangim sa më shumë dhe të mbajmë nivelin e ekipit kompetitiv në çdo sezon. Nuk është vetëm ana financiare.

“Kemi krijuar ambjent pozitiv. Ata që janë dhe ata që janë larguar, kanë lidhje emotive të madhe me Romën dhe eksperiencën që kanë kaluar. Kënaqësia më e madhe është që ata që janë larguar, shprehin dëshirën të kthehen. Kjo më bën krenar dhe i jap theks edhe në konferencat që bëj… Lacio duhet të rikthehet që të jetë pikëkalimi dhe jo nisje. Rruga sa vjen dhe vështirësohet. Kemi projekt pozitiv”.

Ka ardhur momenti që të largoheni nga Lacio?

“Raporti im me Lacion është rritur ndër vite. Eshtë raport shumë i thellë. Kam gati 14 vjet, 3 si lojtar dhe 11 si drejtues dhe herë herë pyes veten mos ka ardhur momenti të shkëputem. Deri tani jam krenar që punoj këtu. Kam pasur shumë oferta nga kampionate të rëndësishme, por nuk e kam menduar ta bëj këtë hap, ndoshta nesër pse jo”.

A ju kërkoi Milani, si është e vërteta?

“Çdo fjalë që unë flas këtu, nesër është në shtypin Italian, kështu që duhet ta shmang. Nuk më pëlqejnë këto gjëra, ose zgjedhjet që janë bërë nga klubet e tjera”.

Ofertë zyrtare nga Reali për Saviç, 95 mln. E vërtetë?

“Jo, nuk është e vërtetë. Nuk ka ardhur asnjë ofertë zyrtare. As Tare dhe as Lotito nuk e mbajnë, por vetë lojtari në raportin që ka me Lacion. Ai është shumë i lidhur emocionalisht. Nuk i pengojmë rrugën nëse nesër i jepet mundësia të kalojë në një ekip të madh. Juventusi? Po, ka pasur interesim. Gjërat nuk janë konkrete, merkato është mbyllur dhe do të jetë deri në fund të sezonit”.

Merkato e limtuar financiarisht… Do të ishte më mirë te një klub që investon 200 apo 300 mln euro?

“Kam provuar variantin e parë… (qesh). Lotito është numri “1” në menaxhim. E kam prekur me dorë këtë gjë. Çdo problem e kemi ballafaquar të dy. Ai është gjenial. Mbajtëm Lacion në nivel kompetitiv, duke rritur prespektivën e klubit në të ardhmen. Merita absolute është e Lotitos”.

Raporti me Lotiton…

“Çmenduri nga Lotito që më zgjodhi në këtë rol… Më tha: “do të dalësh nga një derë e madhe dhe do të futesh nga një tjetër derë e madhe. Do të tregosh mundësinë që je i zoti. Do shpërblesh besimin që kam pasur te ty si lojtar, edhe si drejtues”. Absurde ajo zgjedhja që bëri atëherë, i jam mirënjohësh. Nuk kam raport personal, por edhe miqësor. Kemi edhe grindje të forta, por harrohen shpejt, sikur s’ka ndodhur asgjë. Raporti me Lotiton do të ngelë gjithë jetën”.

Si e sheh Shqipërinë nën drejtimin e Panuçit?

“Nga jashtë nuk më pëlqen që të komentoj punën e të tjerëve, sepse është e thjeshtë. Nëse mund të them diçka është ndryshimi i gjeneratës, pra brezave, që duhet të ishte pranuar nga vetë publiku ynë, tifozët. Duhet të jepet pak kohë. Koha lidhet me rezultatin, ose me lojën e skuadrës. Ndoshta, në fillim nuk vijnë rezultat dhe mund të mos jepet kohë, por Panuçi po njeh mentalitetin shqiptar, me disiplinën e tij, që ndonjëherë te ne është kundërprodhuese…”.

Rritja e Serisë A, si shpjegohet këtë vit, efekti “Ronaldo”?

“Jo vetëm këtë vit, por edhe vjet e parvjet. Ardhja e Ronaldos është imazh i madh dhe efekt domino më pas, me skuadra si Interi, Milani dhe Roma. Por, edhe skuadra të dorës së dytë si Torino, Sampdoria dhe Fiorentina janë fuqizuar. Këtë vit do të jetë një nga kampionatet më të bukura të historisë së futbollit Italian. Atmosfera ndihet. Moment delikat që futbolli Italian po kalon prej një dekade.  Ka probleme financiare në ligat e mëposhtme”.

Sa vlen Thomas Strakosha?

“Nëse Alison u shit 80 mln euro, Strakosha vlen 81 mln euro”

Po Hysaj?

“Bëri ndeshje shumë të mirë dje, më pëlqeu. Do të doja ta shikoja atë lloj loje edhe me kombëtaren e Shqipërisë…”

E ke menduar të bëhesh trajner?

“Në fushë ke mundësi të japësh zgjidhje, jashtë saj stresi është shumë i lartë dhe ke presion. E kam thënë përpara disa kohësh, çdo lojtar i brezit tim, në kombëtare, thotë që do të bëhem trajner. Nëse do të kisha një ëndërr timen do të mbyllja sytë dhe do të stërvisja kombëtaren, do të ishte ëndërr që realizohet dhe jo utopi. Unë dhe shokët e mi, të gjithë e kemi këtë ëndërr”.

Sa do të shiste Igli Tare… Igli Taren, nëse do të ishte futbollist?

“Jam njeriu më i lumtur, sepse më pëlqen të qëndroj me këmbë në tokë. Kam pasur mundësi të bëj karrierë pa mbështetjen e duhur. Ndoshta mund ta bëja më të madhe, por shumë aspekte ndikuan. Ishte rrugë e vështirë e jona, por fitimtare. Jam shumë krenar që aq pak sa mund të kem mundësi, për të ngritur lart imazhin, e bëj me shumë dëshirë, sepse ndiqem nga bashkëkombës dhe mundohem për shembull pozitiv”.

Shqiptarët te Lacio… zgjedhje origjine, apo vlerash?

Janë tre me skuadrën e parë dhe gjashtë me Primavera. Absolutisht është vetëm zgjedhje vlerash. Nuk e mohoj që fakti që janë shqiptarë është më e qartë. Por, jam edhe më kritiku me shqiptarët, sepse pritshmëria që kam për ata është e madhe, si në sjellje, ashtu edhe rendiment”.

Europa League, objektiv?

Objektiv shumë i vështirë, sepse rruga është e gjatë dhe futen shumë faktorë të rëndësishëm, sidomos në fund të sezonit, kampionati, Kupa, por edhe dëmtimet.

Superliga shqiptare, ju vete syri, e ndiqni?

“Me shumë vëmendje. Por jam shumë kritik, sepse janë bërë hapa përpara për infrastrukturën, por hapa mbrapa, ka mbetur mentaliteti i viteve të shkuara. Më shqetëson dhe nuk më kënaq. Nga janari dhe më pas nuk e ndjek më, sepse çdo gjë është vendosur në tavolina”.

You might also like
Leave A Reply

Your email address will not be published.