Largimi i Frederiko Marketit ka venë në lëvizje drejtorin sportiv të Lacios, Igli Tare, për të gjetur një portier të dytë. Me Thomas Strakoshën si titullar dhe një emër që mund t’i sjellë të ardhura të mira Lacios në rast se shitet, Tare ka menduar të afrojë si portier të dytë, Silvio Proton.
“Gardiani i portës” vjen me parametra zero nga ekipi grek i Olimpiakosit. Proto është 35 vjeç dhe ka eksperiencë të gjatë në futboll. Ai e ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës në Belgjikë te Anderlehti, por ka veshur dhe fanellën e Ostende, por dhe të kombëtares së Belgjikës.
Strakosha do të ketë si kundërshtar portierin Proto në sezonin e ardhshëm. Nuk pritet të ketë ndryshime në hirearkinë e portës laciale, por bëhet fjalë thjesht për një zëvendësues të denjë për portierin e kombëtares shqiptare.