Merkato e dimrit po afron, por te Lacio mendojnë me plane me afatgjata. Sipas “goal.com”, klubi kryeqytetas ka arritur marrëveshjen me talentin 19-vjeçar të Liverpulit Bobi Adekanie. Lojtari do t’i bashkohet skuadrës së Simone Inzagit në fund të këtij sezoni.
Kontrata aktuale e Adekanie mbaron në fund të këtij sezoni, pra Lacios nuk do i duhet të shpenzojë para për të bindur drejtuesit e Liverpul. Talenti holandez është një lojtar mjaft interesant, që aktivizohet me kombëtaren e Holandës.
Sulmuesi i krahut të majtë ka “shëtitur” në pak vite në katër prej akademive më me emër në Europë. Hapat e parë i hodhi te Ajaksi, ndërsa kur ishte 12 vjeç shkoi në akademinë e Barcelonës, ku qëndroi për pesë vite. Më pas një eksperiencë e shkurtër te PSV-ja dhe firma me Liverpulin, ku luan prej dy sezonesh.