Igli Tare është arkitekti i Lacios, por në përgjithësi gjithnjë ka pasur të paktën një shqiptar në skuadër. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe dhe në edicionin e ri, pasi me kryeqytetasit është bashkuar Valon Berisha.
Vlerësim maksimal nga ana e Tares për lojtarin i cili luan dhe me përfaqësuesen e Kosovës. Drejtori i Lacios e konsideron si luftëtar Berishën dhe tregon se ka një besim shumë të madh tek aftësitë e tij.
“Është një kënaqësi e madhe për mua që sot prezantoj Berishën. Nuk e kam fshehur asnjëherë admirimin që kam për të. Më bëhet qejfi që tani do të luajë për ne. Ai është një luftëtar, një lojtar që nuk heq dorë kurrë. Jam i lumtur që arriti tek Lacio. Jam i bindur se ai do të bëjë shumë mirë për fanellën e Lacios”.