Shpresat e gjetjes gjallë të Emiliano Salës ishin venitur që në ditët e para, ndërsa familjarët nuk reshtën kurrë së shpresuari. Ditët kalonin dhe dhimbja bëhej e padurueshme për të gjithë. Tragjedia e sulmuesit argjentinas preku miliona tifozë të lojës më të bukur në botë, por jo vetëm.
Thirrja e familjarëve për të rinisur kërkimet e avionit të zhdukur u mbështet nga shumë njerëz dhe më në fund u gjet trupi i tij. Të dashurit e bomberit do të kenë mundësinë t’i bëjnë nderimet e fundit dhe do të kenë një vend për ta qarë dhe “biseduar” me të, sa herë që malli ua djeg zemrat…
Familja e Emilianos ka reaguar për “AFP”, duke i falënderuar të gjithë për dashurinë e treguar në momentin e tyre më të dhimbshëm.
“Tani mund ta qajmë djalin dhe vëllanë tonë. Duam t’u falënderojmë të gjithëve për mbështetjen dhe dashurinë në momentin më të dhimbshëm të jetës tonë. Të shohësh gjithë botën duke u mobilizuar për të na ndihmuar në kërkimet tona ishte një mbështetje e paçmueshme dhe falë kësaj ne do të jemi në gjendje për të nisur zinë për Emilianon”, përfundon deklarata e familjes Sala.