T’i themi gjërat troç: në Shqipëri si Skënderbeu, si klubet e tjerë, kanë bërë dallavere pa fund. Herë ndonjë trukim në kupat e Europës, herë ndonjë bast në kampionat e kupë, herë nëpër miqësore brenda e jashtë vendit, herë hapje porte për ndonjë nder, se dikujt i duhet fitorja, apo i duhen shumë gola. Shtrembërimi i rezultatit real mbetet trukim, pak rëndësi ka arsyeja pse është bërë. Në këtë aspekt, FSHF mendoi se krijimi i një komisioni me emrin e bukur “Komision Etike” do të mbante nën kontroll klubet tona të varfra, që prej shumë vitesh i kanë rënë shkurt: të përfitojmë sa të mundemi, pak rëndësi ka mënyra, me baste apo tolerime. Është një fenomen i mbarëbotëror, nuk i kemi shpikur ne trukimet, por ne i kemi bërë ato diçka normale, ashtu si mashtrimet e politikanëve prej dekadash, ashtu si rrugët e prishura dhe makinat e vjetra, apo uji që nuk pihet. Herë pas here Etika ia bën “bam” dhe masakron ndonjë lojtar, sa për të thënë që ka rregulla e ka organe që punojnë. E megjithatë, masat kanë qenë aq qesharake, saqë ka pasur edhe ngjarje absurde ku dënohet vetëm një portier për një çorbë të gatuar nga 11 lojtarë, apo pa dashje dënohet një portier që nuk ishte fare në fushë. Në dhjetëra e dhjetëra ndeshje të trukuara në mënyrën me qesharake e të fëlliqur në dekadën e fundit, u bë “dëshmore” ndeshja Tërbuni-Bylis, me disa lojtarë të pezulluar, por asnjë vendim për shumë estrada të tjera në Superiore e më poshtë!
Tani Etikës i erdhi “patatja e nxehtë” nga FSHF-ja: bëjini derman kësaj dosjes së UEFA-s në lidhje me Skënderbeun. Ta dënojmë? Po si ta dënojmë? Po sa ta dënojmë? Është njësoj si të shkosh në bordello dhe të arrestosh vetëm njërën prostitutë, sepse kishte kaluar numrin ditor të meshkujve të futur në shtrat. Epo, nuk ka faj ajo e shkreta që është më e zonja se shoqet, apo jo? Kjo punë qelbet erë nga koka te këmbët: FSHF-ja ka mbyllur sytë e veshët për shumë e shumë vite dhe kur vjen më në fund “bomba” nga UEFA, nuk di ç’të bëjë më. Topi i shkon Etikës, që jo vetëm nuk di ta futë në rrjetë, por as nuk di ta ndalojë topin. Muaj të tërë “hetime”, edhe disa javë shtesë sepse dalin gjëra të reja që ndoshta as UEFA nuk i ka parë, për çfarë na duhet kjo Etikë? A ka mundësi që presidenti Duka t’u thotë: Zotërinj, faleminderit për kontributin “e çmuar”, por nuk i hyni në punë askujt në këtë vend? Nëse edhe Duka u jep bekimin, atëherë duket qartë që Etika është praktikisht Federata. Meqë ra fjala, flitet se titulli i vjetshëm, ai më i pastri nga gjithë titujt e Skënderbeut, do t’i jepet Partizanit. Mos e quani “qokë” dhe përkëdhelje për Partizanin, po deshët!
Blerim Jahaj