Rruga ishte e përcaktuar, Emir Sahiti duhej vetëm ta ndiqte dhe të angazhohej maksimalisht, që çdo gjë të shkonte në mënyrën e duhur. Mesfushori me tipare sulmuese i ekipit Shpresa, nuk e shpërdoroi shansin dhe bindi një klub me emër në rajon, si Hajduku i Splitit, që të besonte te ai.
Në shkurt të këtij viti i’u bashkua kroatëve, të cilët e lanë në huazim te Rabotniçki, klub në të cilin ishte aktivizuar prej sezonit 2015-2016, kur u transferua nga Trepça ’89 në Kosovë. Për këtë arsye, gjysma e dytë e edicionit të kaluar, ku kuqeziu luajti sërish në Ligën e Parë të Maqedonisë, por këtë herë i huazuar te Rabotniçki, ishte një test.
Gjashtë muaj për të luajtur rregullisht dhe për të bindur Hajdukun, me 19-vjeçarin që tashmë rikthehet në Split. Emir Sahiti njoftoi se firmosi kontratë 4-vjeçare me klubin e Hajdukut. “Nga sot do të jem edhe për 4 vite lojtar i ekipit më me emër në Kroaci dhe në Ballkan, Hajduku i Splitit. Dua të falenderoj ish-skuadrën time, Rabotniçki, për korrektësinë e treguar dhe gjithë ato vite që isha aty”, shkruante ai.
Talenti kuqezi, që mund të luajë në të dy krahët në fazën ofensive, por edhe si qendër-sulmues, i është bashkuar ekipit të dytë të Hajdukut të Splitit. Aty do të ketë mundësinë që të aktivizohet rregullisht dhe duhet të tregojë vlerat e tij, për të synuar më pas të fitojë një vend në ekipin e parë.