Talenti i Atletik Bilbaos mund kancerin dhe kthehet në fushë

Para një viti mallëngjeu Europën historia e mbrojtësit të Atletik Bilbaos Jeraj Alvarez, i cili në moshën 22-vjeçare, pikërisht kur ishte bërë një yll në skuadrën e parë (33 ndeshje sezonin e shkuar mes kampionatit e Europa Ligës), u detyrua të ndalej për shkak se u diagnostikua me kancer testikular.

Një operacion, drita jeshile për t’u kthyer në fushë dhe sërish kimioterapi gjithë verën, pasi kanceri u kthye në qershor. Megjithatë, me një vullnet të jashtëzakonshëm, Jeraj është kthyer në stërvitje të diferencuar këtë javë dhe trajneri Joze Angel Ziganda deklaron se mbrojtësi i ri duket se e ka fituar ndeshjen e jetës: “Kurimi ka ecur shumë mirë dhe jemi të lumtur. Ai duket se është shëruar dhe ky është lajmi më i madh nga çdo lajm tjetër”.

Brenda pak ditësh Jeraj pritet të marrë lejen nga mjekët për të nisur stërvitjen normale me skuadrën, duke lënë pas një verë të hidhur, ku humbi edhe Europianin e 21-vjeçarëve, por fitoi diçka shumë më të madhe, jetën e vet.

Në verë bëri xhiron e rrjetit edhe një foto e lojtarëve të Atletik Bilbaos, që u qethën zero në shenjë solidariteti për shokun e skuadrës.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *