Trajneri i Fiorentines: Emocione po, por të shkuarën e kam lënë pas. Sot s’do të ketë favorit
Nuk është asnjëherë e thjeshtë që të tresësh një shkarkim nga një pankinë prestigjioze si ajo e Interit. Dhe di diçka për këtë Stefano Pioli, që aktualisht është trajneri i Fiorentinës dhe që duhet të hakmerret për sezonin e shkuar, duke hapur një cikël fitues. Pavarësisht kritikave të shumta të drejtorit sportiv, Korvino për zgjedhjet jo të qarta, trajneri është paraqitur i kënaqur për merkaton në konferencën për shtyp. “Skuadra është mjaftueshëm e kompletuar dhe kemi marrë lojtarët që i përgjigjeshin nevojave tona. Kemi arritur objektivat tanë dhe tani vetëm fusha do ta vlerësojë nëse skuadra do të jetë në lartësinë e duhur. Dy javët e para të kampionatit do të tregojnë diçka më shumë. Do të kërkojmë të jemi në lartësinë e duhur sot. i emocionuar? Sigurisht që jam, sepse do të kthehem atje ku kam kaluar një periudhë të bukur si trajner së fundmi. Por, e shkuara është pas krahëve tani. Favoritë? Do ta nisim nga 0-0”.