Flet nga Monako menaxheri Gerhard Takaj, i cili ka shtrënguar duart me përfaqësuesin e Partizanit: S’kemi asgjë me ta dhe ata me ne
Leonard Trebicka
“Ndeshja në Beograd ka risk, por nuk besoj që do të ndodhë gjë, pasi jemi vetëm dy ekipe futbolli. Kombëtarja e ka më të theksuar patriotizmin, ndërsa ne jemi tifozë nga Korça dhe korçarët njihen për të kënduar e për të gëzuar kudo ku janë, jo për të krijuar probleme”, – thekson në një intervistë për “Sport Ekspres” menaxheri i përgjithshëm i Skënderbeut, Gerhard Takaj, i pranishëm bashkë me menaxherin Shkumbin Qormemeti në short. I pyetur për takimin me përfaqësuesit e Partizanit, Takaj pohon se shtrëngoi duart me ta: “Nuk kemi asgjë kundër tyre dhe as ata kundër nesh. Në sport jemi të gjithë miq dhe kështu duhet të sillemi.” Ja intervista e plotë e Gerhard Takajt nga Monako:
– Gerhard, bashku me menaxherin Shkumbin Qormemeti ishit prezentë në Monako, në hedhjen e shortit. Si ju duket grupi?
– Po, isha i pranishëm në hedhjen e shortit dhe dua të them se për ne është një short i favorshëm.
– Doni të thoni se Skënderbeu do të shkojë më larg, mund t’ia kalojë edhe grupet?
– Dua të them se Skënderbeu kërkon gjithmonë majat. Me aq forcë sa kemi, ju garantoj se do të bëjmë të pamundurën për të shkuar sa më larg. Ashtu siç bëmë të enjten në mbrëmje dhe ja ku jemi në grupet e Europa League.
– Skënderbeu shkon në stadiumin, ku u ngrit droni i famshëm. Si do ta komentoni përballjen ndaj Partizanit të Beogradit?
– Partizani është një skuadër e fortë, por jo e pakalueshme nga ana jonë, në të dyja përballjet, në Elbasan dhe në Beograd. Shpresoj që në përballjet me ta të kemi vetëm futboll, pasi kjo është arsyeja e vetme, që të gjithë shkojmë në stadium dhe të ndjekim ekipin e zemrës. Të gjithë duhet ta mbështesim sa më shumë Skënderbe edhe në grupet e Europa League. Nuk ka shans të bëjmë propagandë apo të fyerje nga më të ndryshmet, jo vetëm ndaj Partizanit të Beogradit, por ndaj asnjë ekipi. Kjo është mënyra e vetme, që mund të fitojmë.
– I druheni faktit se mund të ndodhë sërish si me kombëtaren?
– Sigurisht që ndeshja ka risk, por nuk besoj se do të ndodhë gjë. Në fund të fundit, jemi dy ekipe futbolli. Kombëtarja e ka më të theksuar patriotizmin, ndërsa ne jemi tifozë nga Korça dhe korçarët njihen për të kënduar dhe për të gëzuar kudo ku janë, jo për të krijuar probleme.
– Jeni takuar me ndonjë nga përfaqësuesit e Partizanit të Beogradit?
– Sigurisht që jam takuar. Në sallë kanë qenë të tre përfaqësuesit e ekipeve tona kundërshtare dhe pas shortit zhvilluam një takim, ku diskutuam për organizimin e 6 ndeshjeve. Me përfaqësuesit e Partizanit i dhamë dorën njëri-tjetrit. Nuk kemi asgjë kundër tyre dhe as ata kundër nesh. Në sport jemi të gjithë miq dhe si të tillë mendoj se duhet të sillemi.
– Në fakt, pritej nga tifozët një emër i madh. Po ju, e prisnit?
– Pishman nuk kam, por do të kisha shumë dëshirë që një ekip i madh të ishte në vend të Dinamos së Kievit. Edhe Dinamo është e fortë dhe ne e njohim, pasi kemi zhvilluar miqësore me ta.